Tenda, pedana, trarë të vendosur në parkime publike, blloqe betoni, mure, vazo lulesh etj të vendosura pa leje në hapësira publike kanë qenë në fokusin e aksionit disa ditor, që Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit, Policia Bashkiake, Policia e Rendit dhe drejtori në varësi të bashkisë Durrës kanë ndërmarrë në brendësi të lagjeve nr.3 dhe nr.4.

“DurrësLajm” mëson se aksioni për lirimin e trotuareve të zëna nga objektet e vendosura pa leje, por edhe hapësirave të tjera publike pritet të spostohet në ditët në vijim në lagjen nr.9 dhe lagjen nr.11, të qytetit bregdetar.

Për kthimin e hapësirave publike në shërbim të komunitetit ka reaguar në rrjete sociale edhe kryebashkiakja Emiriana Sako.

Përmes një postimi ku evidenton momente nga puna në terren e strukturave shtetërore të angazhuara në aksion, Sako u bën një apel qytetarëve:

“Ftojmë qytetarët dhe subjektet private të bashkëpunojnë për respektimin e hapësirave publike duke kontribuar për një qytet më të pastër, më të sigurt dhe të aksesueshëm nga të gjithë.

Hapësirat publike në të gjithë qytetin do t’i rikthehen qytetarëve, aty ku ato janë zënë në shkelje të ligjit”,- shkruan kryetarja e bashkisë.