Pushime në Shqipëri, por edhe rikthime në atdhe për t’u takuar me familjarët. Në këtë ditë të parë të fundjavës , me mijëra bashkëattdhëtarë tanë, por edhe shumë shtetas të huaj mbërritën në portin më të madh në vend me 5 tragete që lidhin dy brigjet e Adriatikut. Për të përballuar fluksin në rritje të udhëtarëve dhe mjeteve, strukturat portuale po punojnë me kapacitet të plotë në të gjitha sportelet e kontrollit të dokumenteve.

Për shumë shqiptarë, këto ditë qëndrimi në atdhe nuk janë domosdoshmërisht ditë pushimi.

Kthimi i Shqipërisë në një nga destinacionet më të preferuara për pushime ka nxitur kuriozitetin e shumë të huajve të zgjedhin vendin e shqiponjave për të kaluar pushimet verore. Fakt që ata e pranojnë edhe për mikrofonin e “DurrësLajm”.

“Do të bëjmë një tur në Shqipëri, do të vizitojmë Tiranën, Dhërmiun, Sarandën, Gjirokastrën etj. Është hera e parë që vijmë këtu. Kemi dëgjuar për plazhe të bukura, njerëz mikpritës, kuzhiinë shumë të mirë. Do të qëndrojmë deri më 31 korrik”.

“Kemi ardhur për pushime. Do të qëndrojmë 14 ditë. Do të vizitojmë Tiranën fillimisht, pastaj do të lëvizim në jug dhe në veri të vendit. Është hera e parë që vizitoj Shqipërinë”.

“Jam nga Zvicra. Udhëtoj me biçikletën time në vende të ndryshme. Tek ju kam parë disa liqene të bukura dhe vende për të bërë alpinizëm, por nuk e kam vendosur ende ku do të shkoj konkretisht. Shqipërinë po e vizitoj për herë të parë”.

Duke nisur nga fundjava e kaluar, tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas kanë nisur lundrimet e dyfishta, ndërsa që nga ditët e para të korrikut, linja Durrës-Ankona operon me lundrime të përditshme.

Fundjavën e kaluar në portin e Durrësit mbërritën nga portet istaliane 8,065 pasagjerë, ndërkohë që 2,494 udhëtarë u nisën nga qyteti bregdetar drejt porteve italiane.

M.B.