Një denoncim qytetar ka mbërritur pranë redaksisë së “DurrësLajm”, që lidhet pikërisht me ultimatumin e përsëritur disa herë nga kryeministri Edi Rama për zënien e hapësirave publike.
Në denoncim qytetari shkruan: “Jemi në lagjen nr.17. Shihni sa bukur shteti i ka liruar hapësirat publike!!! Anonim ju lutem”.
Denoncimin e tij, qytetari e shoqëron edhe me pamje filmike ku shfaqet një subjekt privat, që ka zënë hapësirën e parkimeve, por edhe një pjesë të trotuarit me motorë të madhësive të ndryshme.
Jo më larg sesa disa orë më parë, kryeministri reagoi në rrjete sociale për të paralajmëruar se “Nuk mund të ketë shërbim gomisterie në mes të rrugës, kufiri i biznesit mbaron aty ku fillon kufiri i jetës së komunitetit”.
E ndërsa qytetarët e Durrësit presin rikthimin e vërtetë të hapësirave publike në shërbim të qytetarëve dhe komunitetit të zonës për të fshirë njëherë e përgjithmonë konceptin “Tokë e xanun” nga i forti i lagjes, në disa raste gjatë këtyre ditëve aksionet e strukturave lokale transformohen në heqje të vazove me lule dhe krasitje degësh peme.





