Durrësi vijon të mbajë kryesimin si qarku me numrin më ttë lartë të autoveturave për 1000 banorë. Për të disatin vit rradhazi, referuar statistikave të INSTAT, Durrësi renditet në shkallë vendi në krye të listës. Përgjatë vitit që lamë pas, shifrat flasin për 483 autovetura për 1000 banorë, apo afërsisht 1 në 2 banorë të qarkut të Durrësit ka makinë.

Në shkallë vendi, numri i automjeteve për 1000 banorë është 328, shifër kjo shumë më e vogël sesa ajo që regjistron Durrësi.

Ndërkohë, qarku me numrin më të madh të mjeteve rrugore është Tirana me 34.8% të 959.228 mjeteve të regjistruara në të gjithë Shqipërinë, e pasuar nga Durrësi dhe Fieri.

E ndërsa Durrësi prej vitesh tashmë mban vendin e parë për numrin e lartë të mjeteve, lëvishmëria në qytet është gjithnjë e më e vështirë. Trafiku i dendur në akse të ndryshme, mungesat gjithnjë e më të ndjeshme të vendeve të parkimit, shtimi i konsiderueshëm i numrit të automjeteve në zonat bregdetare për shkak të flukseve turistike janë fenomene me të cilat qytetarët e Durrësit ndeshen thuajse në çdo periudhë të vitit.

Kthimi i bulevardit “Epidamn” në pedonale gjatë muajve korrik – gusht i heq qytetit një tjetër “arterie” lëvizshmërie për mjetet, ndërkohë që projektet konkrete për ndërtimin e akseve alternative, siç janë 2 unazat e qytetit që lidhin zonën e Currilave me rrugën “Aleksandër Goga” duan kohë të përfundojnë.

Nga ana tjetër, parkimi i mjetit përkthehet në një makth të përditshëm për qytetarët, por mjaft fitimprurës për ata që administrojnë parkimet publike dhe private. Në disa parkime që në letra janë publike, qytetarët ankohen se tarifa për një orë kap vlerën 300 lekë të reja!  

Parkimi më i madh publik tek stacioni i trenit mbetet ende një projekt i pakonkretizuar, megjithëse punimet në të duhet të përfundonin që në muajt e parë të këtij viti. E në këto kushte, qytetarët vijojnë bëjnë xhiro nëpër qytet në kërkim të një vend parkimi aq shumë të dëshiruar.

Në një qytet, ku numri i mjeteve në përdorim të qytetarëve rritet ndjeshëm të paktën në 5 vitet e fundit, politikat infrastrukturore nuk zhvillohen në progresion të drejtë me një qytet në zhvillim e sipër e në një destinacion turistik që synon të jetë i vizitueshëm në 4 stinët e vitit.

M.B.