Krejt ndryshe nga ditë më parë, kur opozita u largua në shenjë proteste nga salla dhe mbledhja e Këshillit Bashkiak Durrës dështoi për mungesë kuorumi, në mbledhjen e sotme, 17 projektvendimet e paraqitura për miratim kaluan me votat unanime të 36 këshilltarëve të pranishëm.

Por pavarësisht se këshilltarët e maxhorancës dhe opozitës gjetën dakordësinë për të bashkuar votat për të gjitha pikat e rendit të ditës, pjesa më e madhe e të cilave lidheshin me procesin e rindërtimit, nuk munguan replikat politike mes palëve.

“Desha të falenderoj opozitës për largimin e herës së kaluar se i “qan barku” shumë për këto në fakt. Se këto janë shumica për tërmetin dhe ndihmën ekonomike dhe familjet në nevojë”, tha këshilltarja Flutura Kasa.

“Opozita u larrgua në shenjë proteste që bashkia dhe pjesë të këshillit të vihen në shina. Pra, atë çfarë ne kërkuam është që të gjitha materialet, në bazë të rregullores të na vihen në dispozicion 5 ditë punuese para se të zhvillohet mbledhja e KB-së”,- ishte replika e këshilltarit Ardian Muka..

Gjatë vizitës që kryeministri Rama bëri 2 javë më parë në bashkinë Durrës kërkoi dorëheqjen masive të nënkryetarëve dhe drejtorëve e bashkisë dhe pikërisht vazhdimi ose jo i qëndrimit të tyre në post ishte pyetja, që këshilltari Ardian Muka i drejtoi nënkryetarit Elio Jani.

Në përgjigjen e tij, Jani sqaroi pozicionin aktual të gjithë drejtuesve të bashkisë.  

“Materialet e Këshillit që keni në dispozicion janë firmosur nga drejtorët e bashkisë së Durrësit. Janë të gjithë në punë. Kjo që ngrini ju nuk ka lidhje me mbledhjen, port ë votojmë këto pika sepse kanë më së shumti lidhje me rindërtimin. Largimi juaj i para 5 ditëve për njerëzit që kanë hall është 5 ditë jashtë shtëpive”,- tha nënkryetari Jani.

M.B.