Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të krimeve mjedisore në zonën e fshatit Mushqeta, pranë lumit Zhullima, ku një objekt po ndërtohej pa leje dhe ishin hedhur inerte që ndotnin mjedisin dhe pengonin rrjedhën natyrore të lumit.

Si rezultat i kontrollit në terren dhe punës hetimore nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, u arrestua në flagrancë shtetasi S. Ç., 52 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi K. G., 47 vjeç. Policia ka nisur punën për lokalizimin dhe kapjen e këtij të fundit.

Sipas njoftimit zyrtar, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, “Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës” dhe “Menaxhimi i mbetjeve”.