Gjatë këtyre ditëve me temperatura përvëluese në qarkun e Durrësit janë shënuar disa vatra zjarri me përmasa të konsiderueshme, sidomos në zonat pyjore, me bimësi të lartë apo mesatare.
Të gjitha vatrat janë vënë nën kontroll nga forcat e zjarrfikësve, ndërkohë që zona më problematike ka rezultuar ajo e Ishmit, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre mesdhetare, ullinj, pemëtari etj.
Xhemil Ribaj, inspektor për parandalimin e zjarreve tregon: “Situata e zjarreve në Durrës paraqitet e menaxhueshme. Kemi pasur zjarre të vogla në pyje, të cilat janë menaxhuar nga ana jonë dhe kryesisht kanë qenë vatra të vogla”.
Sipas autoriteteve, temperaturat e larta dhe pakujdesia e disa qytetarëve që ndezin zjarr pranë zonave të mbuluara me bimësi, mbeten shkaktarët kryesorë të këtyre vatrave.
Përveç gatishmërisë së ekipeve të zjarrfikësve, janë ngritur struktura të posaçme në zonën e plazhit, për shkak të përqendrimit të një numri mjaft të madhe pushuesish në vijën bregdetare
“Kemi ngritur një tjetër grup të gatshëm, përveç atij që kemi në qytet. Është ngritur në zonën e plazhit, janë të stacionuar atje. Kemi ngritur dhe një grup të përkohshëm në zonën e Gjirit të Lalzit për t’u ardhur sa më shumë në ndihmë banorëve të atjeshëm”,– bën të ditur Ribaj.
Në ndihmë të strukturave shtetërore që po angazhohen për shuarjen e zjarreve, një subjekt privat ka ofruar një solucion të specializuar për fikjen e shpejtë të tyre në territorin e Durrësit.
Në këto ditë të nxehta, apeli i zjarrfikësve ndaj qytetarëve është të tregojnë kujdes maksimal, për të mos rrezikuar mjedisin dhe jetën e tyre.
M.B.





