Sapo është kthyer nga Australia e largët, ku së bashku me ekipin kombëtar mori pjesë në Olimpiadën Botërore të Matematikës. Krisel Leka erdhi prej andej me medaljen e nderit, një arritje mjaft e rëndësishme për 16-vjeçarin nga Durrësi.
“Emocionet ishin të mëdha, rezultati ishte i mirë por jo ai që duhej. Pritshmëritë ishin për një medalje, por niveli i konkursit është goxha i lartë”,– thotë ai për “DurrësLajm”.

Renditja i dyti në olimpiadën mbarëkombëtare të matematikës për këtë vit nuk është rastësi për gjimnazistin e apasionuar pas ekuacioneve dhe ushtrimeve të vështira. Lidhjet e tij të forta me këtë lëndë nisin që para sesa të niste shkollën.


“Që në moshë të vogël, babai më bënte ushtrime me shumëzime, me numra dy shifrorë. Kjo ndodhte në moshën 6-vjeçare dhe unë jepja përgjigje në mënyrë të menjëhershme. Një nga hapat e parë të mi ishte pjesëmarrja në olimpiadat lokale të matematikës, të zhvilluara nga QKF Durrës. Në këto olimpiada, për 4 vite rresht kam arritur rezultate shumë të larta”.
Arritjet e njëpasnjëshme në olimpiadat kombëtare i shtruan Kriselit rrugën për pjesëmarrjen në olimpiada ndërkombëtare, ndërsa tashmë marrja e medaljes së nderit në Australi i mundëson ndjekjen e studimeve në disa nga universitetet më të mira të botës.
“Kjo medalje është një plus për mua, për pranimin në këto universitete, duke qenë se është një arritje shumë e madhe në rang botëror, në një aktivitet me mbi 650 pjesëmarrës nga 110 shtete të ndryshme”.
Kriseli ka nisur të mendojë për hapin që do të hedhë për përmbushjen e objektivave të tij. Kina dhe olimpiada tjetër botërore janë për të riun pikësynimet e radhës. Me më shumë eksperiencë dhe mbase me më pak emocione, Kriseli synon zonën e medaljeve.
“Olimpiada e ardhshme zhvillohet në Kinë dhe objektivi im i radhës është patjetër një medalje. Kjo do ishte një arritje shumë e madhe për mua”,- thotë ai i emocionuar.
M.B.





