Një nga shembujt më të spikatur të studentëve ekselentë në UAMD është Erda Dervishi, e cila sapo ka përfunduar Masterin Shkencor “E Drejtë Europiane e Krahasuar”, një program i përbashkët ndërmjet universitetit të Durrësit dhe universitetit prestigjioz “La Sapienza” në Romë.
Studentja është vlerësuar me notën maksimale 110/110, duke dëshmuar kështu një histori suksesi jo vetëm personale, por edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën akademike.
“Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, që ndoshta të ndryshon edhe jetën. Padyshim në fillim kishim pikëppyetjet tona, si do të funksiononte, a do të bëhej vërtet realitet që në fund të 2-vjeçarit të merrnim një diplomë të dyfishtë edhe nga UAMD, edhe nga “La Sapienza”? Por ja ku jemi tani e finalizuar me sukses dhe me krenari mund të them me rezultatet më të larta në mbrojtjen e diplomës në “La Sapienza””,- thotë Dervishi për “DurrësLajm”.
Ky master është i dyti për studenten Dervishi, e cila rrëfen se ndjekja e një semestri studimesh pranë universitetit “La Sapienza” dhe mbrojtja e diplomës atje ishte shumë më e thjeshtë nga ç’mund ta imagjinonte.
“Një aspekt pozitiv ishte fakti që kurrikula jonë ishte e njëjtë me atë që u ndoq në “La Sapienza”. Pra tranzicioni ishte shumë i thjeshtë për ne për të kaluar nga bankat e shkollës në UAMD në universitetin e Romës”.
Standardet e larta të cilësisë, që universiteti “Aleksandër Moisiu” ofron përmes programeve të tij ndërkombëtare si dhe krijimi i urave të bashkëpunimit mes UAMD-së dhe universiteteve më të njohura në Evropë e më gjerë ofrojnë për studentët e ciklit Bachelor dhe Master mundësi të shumëfishta për rritjen akademike të tyre.
Për këtë arsye, studentja Dervishi ka një apel për të gjithë të rinjtë, të përkushtuar ndaj studimeve të larta.
“Duket sikur rëndësia e diplomës vit pas viti ka ardhur duke u zbehur, por unë mendoj se rëndësinë diplomës ia japim ne vetë në radhë të parë. Duke shkuar në auditoret e shkollës për të marrë njohuri, jo për të marrë diplomën në fund të periudhës së studimit. Pra janë vetë të rinjtë që duhet t’i japin rëndësi vetë vetes së tyre duke punuar që në auditoret e shkollës dhe më pas në punë”.
Prej vitesh, Dervishi është e punësuar pranë njërës prej bankave të nivelit të dytë në Durrës dhe hapat e hedhura për ngritjen profesionale ia dedikon përkushtimit dhe angazhimit të saj, por edhe bagazhit akademik të marrë në auditoret e UAMD-së.
M.B.





