I janë nënshtruar sot intervistës me gojë një pjesë e profesionistëve të qytetit të Durrësit, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së bërë nga kryebashkiakja Emiriana Sako për t’u bërë pjesë e administratës publike.
Më datë 21 korrik, në një postim në rrjete sociale, Sako shkroi “Të gjithë ata arkitektë, urbanistë, inxhinierë, ekonomistë, IT, juristë, profesionistë të shkencave sociale, pedagogë, profesionistë të sektorit të bujqësisë dhe mjedisit , etj të cilët dëshirojnë të japin kontributin e tyre në shërbim të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit janë të ftuar të shprehin interesin e tyre”
Vetëm në 24 orët e para pas hapjes së aplikimit në adresën e emailit[email protected] u dërguan 132 kërkesa për shprehje interesi, ndërsa në total numri i tyre është mbi 300 kërkesa.
Sot, një pjesë e profesionistëve aplikantë iu nënshtruan intervistës me gojë para komisionit të përbërë nga kryebashkiakja Emiriana Sako dhe deputetet Klodiana Spahiu etj.
Siç duket edhe në pamjet filmike që “DurrësLajm” filmoi paraditen e sotme, një pjesë e tyre janë të rinj në moshë dhe ndërsa prisnin të thirreshin brenda mbroheshin nga rrezet e diellit nën hijen e bashkisë.
Thirrja për profesionistët që t’i bashkoheshin administratës publike u bë vetëm pak ditë pas vizitës së kryeministrit Rama në bashkinë Durrës dhe ultimatumit që ai dha për dorëheqjen e të gjithë drejtorëve, të cilët do të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë vetëm nëse arrijnë të kalojnë “sitën” e performancës.
Deri sot, 31 korrik, të gjithë nënkryetarët dhe drejtorët e bashkisë vijojnë të mbeten në detyrë, ndërkohë që nuk është bërë ende e qartë publikisht se sa prej tyre kanë “kaluar” dhe sa kanë “mbetur” në klasë.
Mësohet se intervistimi i profesionistëve që kanë aplikuar për të dhënë kontributin e tyre në administratën publike do të vijojë disa ditë, por mbetet për t’u parë nëse dikush prej tyre do të përzgjidhet për të dhënë kontributin e tij për qytetin.
Nuk është e qartë as forma sesi këto profesionistë do të bëhen pjesë e administratës publike, por mbetet për t’u pritur në ditët në vijim për informacione më konkrete.
Të premten, hyjmë zyrtarisht në muajin gusht (muaj pushimesh), por duket se ky 31 ditësh nuk do të jetë edhe aq shumë muaj relaksi për një pjesë të drejtuesve, që janë ende në pritje të vlerësimit të performancës.
M.B.





