Me një histori mijëravjeçare dhe trashëgimi të pasur kulturore, sitet arkeologjike dhe historike të Durrësit tërheqin turistë të huaj nga e gjithë bota. Kulla Veneciane, monument kulture i shekullit XV, është një nga më të vizituarat. E kthyer në qendër interpretimi të trashëgimisë kulturore të qytetit përmes teknologjisë 3D, pas rijetëzimit të saj falë programit EU4Culture, kulla e bardhë me bedena mirëpret çdo ditë turistë.

“Vizitorët i kemi të kombësive të ndryshme. Kemi nga Polonia, Italia, Anglia, Franca etj, pra nga Evropa Lindore dhe ajo Perëndimore, por edhe nga SHBA e Izraeli. Numri i vizitorëve në Kullën Veneciane arrin shifrën rreth 6500 vizitorë”,– thotë për “DurrësLajm”, specialistja e Qendrës Muzeore Durrës, Ina Ajazi.

I themeluar rreth vitit 627 p.e.s. Durrësi në ditët e sotme shtrihet mbi rrënojat antike të Epidamnit. Antikiteti mbetet një nga asetet më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në qytetin bregdetar. Të huajt shprehen mjaft të surprizuar nga historia e pasur antike, mesjetare, por edhe ajo e kohëve më të vona, që qyteti bregdetar ka ruajtur deri në ditët tona.

“Është interesante të shohësh ndërtesa kaq të vjetra, me një arkitekturë që nuk e gjen në vendet skandinave. Gjithashtu mund të shohim nga afër monumente të ruajtura nga antikiteti apo mesjeta. Është vetëm dita e parë, por po e shijojmë shumë qëndrimin këtu.”

“Kohët e fundit, Shqipëria është kthyer në një vend shumë interesant, me plazhe shumë të bukura, njerëz mikpritës dhe çmime mjaft të leverdishme. Gjithashtu interesante janë dhe sitet e trashëgimisë kulturore, disa prej të cilave i vizituam gjatë qëndrimit këtu”.

“Shqipëria është destinacion mjaft i reklamuar në Suedi. Erdhëm këtu për të parë një vend mesdhetar, por edhe një vend me histori shumë të pasur.”

“Erdha për të parë Shqipërinë, sitet e saj e trashëgimisë kulturore. Ishim në amfiteatrin antik, mbetëm mjaft të surprizuar nga ky monument.”

Krahas vijës bregdetare shumë të gjatë dhe plazheve ranore e shkëmbore të tij si dhe kulinarisë mjaft të pasur, Durrësi rezervon për të gjithë vizitorët një udhëtim në histori, që mbetet gjatë në memorien e gjithësecilit që i viziton ato nga afër.

M.B.