Në 24 orët e fundit, në qarkun Durrës janë evidentuar shtatë vatra zjarri, prej të cilave gjashtë janë shuar plotësisht, ndërsa një vijon ende aktive që prej mëngjesit të sotëm.

Sipas Prefekturës së Durrësit, flakët janë regjistruar në disa zona të Bashkisë Durrës, përfshirë Gjuricaj, Spitallë, Arapaj, Maskuri, Fllakë dhe Fushë-Draç, si dhe në Barkanesh të Bashkisë Krujë. Në pjesën më të madhe të rasteve, zjarret kanë përfshirë bimësi të ulët, hamullore dhe kallamishte, ndërsa në Krujë është prekur një sipërfaqe pyjore me dru të shkurtër.

Në operacionet e shuarjes janë angazhuar 38 forca zjarrfikëse me 11 mjete, si dhe efektivë të shërbimit pyjor, forcave bashkiake dhe policisë. Autoritetet kanë ndaluar dy persona të dyshuar për zjarrvënie, vepër që përbën krim penal dhe ndëshkohet me ligj.