Zyrtarisht jemi në stinën e vjeshtës. Vera me temperaturat e saj të larta dhe pushimet e shumë dëshiruara mbetet pas tashmë.

Me ngadalë, qyteti i Durrësit nis t’i rikthehet normalitetit dhe qytetarët rutinës së përditshme të tyre.

Dita e parë e shtatorit sjell një ndryshim të rëndësishëm përsa i përket qarkullimit të mjeteve dhe parkimit të tyre.

Pas dy muajsh që shërbente si pedonale gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes, në bulevardin “Epidamn” tashmë rikthehet lëvizja normale e mjeteve.

Nga ora 18.00 – 23.00 në këtë aks ndalohej qarkullimi dhe parkimi i mjeteve përgjatë muajve korrik dhe gusht.

Masa kishte për qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve, por edhe të vizitorëve dhe turistëve të shumtë që vijnë në Durrës për të kaluar pushimet verore.

Me largimin e tyre, bizneset që ushtrojnë aktivitetin përgjatë këtij aksi dhe rezidentët e lagjes ndihen më të lehtësuar, pasi tashmë nuk duhet të vuajnë më penalizimet që vinin nga kthimi i bulevardit në pedonale.