Këtë vit të ri shkollor, pas një pritjeje më shumë se 5-vjeçare, shkolla sportive “Benardina Qerraxhia” do të rihapë dyert e saj. Rreth 220 nxënësit e saj do të mund të zhvillojnë procesin mësimor në ambiente me kushte bashkëkohore. Por kjo nuk është e vetmja risi për këtë institucion arsimor.
“Një tjetër risi e kësaj shkolle se kur mbaroi viti shkollor ka qenë vetëm shkollë e mesme, tani është hapur cikli nga e gjashta tek e nënta”,– thotë drejtoresha e ZVA Durrës, Amarilda Thërmija.
Problematika e mësimit me dy turne nuk do të marrë zgjidhje as këtë prag fillim viti shkollor. Kjo për shkak se disa shkolla në qytetin e Durrësit dhe njësitë administrative janë ende në rikonstruksion e sipër.
“Aktualisht kemi gjimnazin Manzë, që përfundon brenda marsit 2026, kemi shkollën “Rexhep Mezini”, që përfundon brenda tetorit 2025, shkollën “Kushtrimi i lirisë”, që në janar të 2026-ës përfundon punimet, shkollën Vadardhë që është në proces rindërtimi dhe shkollën “Met Hasa që mendohet se do të përfundojë në janar të vitit të ardhshëm”.
Po ndërsa këto shkolla pritet të përfundojnë së rikonstruktuari brenda këtij viti apo vitin e ardhshëm, krejt e kundërta ndodh me gjimnazin “Gjergj Kastrioti”, i cili është ende në fazën e realizimit të projektit.
Ky vit i ri shkollor nis me një rregullore të re, që ndalon përdorimin e telefonave celularë në klasa. Ndërkohë brenda muajit shtator, pritet që edhe shkollat 9-vjeçare të bashkisë Durrës të kenë oficer sigurie, si një garanci më shumë për rendin në ambientet shkollore.
“DRAP-i po bën procedurat e punësimit të këtyre personave, të cilët do të jenë përgjegjës për disiplinën, për rregullin dhe për mbarëvajtjen e procesit mësimor kështu që unë mendoj se brenda shtatorit të gjitha shkollat do të kenë oficerin e sigurisë pranë ambienteve të tyre.”,- bën të ditur Thërmija.
Këtë vit të ri arsimor, në bankat e shkollave të Durrësit do të ulen për herë të parë 1887 nxënës të klasës së parë dhe 1881 nxënës të klasës së dhjetë, nga 25244 nxënës gjithsej.
Në bashkinë Durrës funksionojnë 54 shkolla publike dhe 17 institucione arsimore jo publike.
M.B.





