Pas vendimit të kryetares së bashkisë Durrës për ndalimin e qarkullimit të motomjeteve elektrike, si monopatina, motorë dhe biçikleta elektrike në shëtitoren “Taulantia” dhe shëtitoren e plazhit vijnë edhe penalizimet e para për përdoruesit e tyre.

Mbrëmjen e sotme, shërbimet e Policisë Bashkiake kanë bllokuar 6 monopatina dhe kanë gjobitur përdoruesit e tyre, një pjesë e të cilëve në moshë të mitur.
Pavarësisht se sinjalistika vertikale ishte vendosur në disa vende të dukshme të shëtitores “Taulantia”, përdoruesit e monopatisë nuk e kanë zbatuar urdhëresën e re.


Burime zyrtare nga Policia Bashkiake bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se përdoruesit shkelës janë gjobitur me masa administrative në masën 20-30 mijë lekë.
Aksioni i sotëm do të vijojë edhe ditët në vazhdim, jo vetëm në shëtitoren “Taulantia”, por edhe në atë të plazhit për të ndëshkuar të gjithë ata që do të tentojnë t’i përdorin këto motomjete në hapësira publike dedikuar këmbësorëve.


Më herët, njoftuam se në shëtitoren “Taulantia” është vendosur sinjalistika vertikale përkatëse, ndërkohë që pritet që ajo të vendoset edhe tek shëtitorja e plazhit dhe sheshi “Liria”.

Disa herë me radhë, ne si media kemi ngritur shqetësimin e qytetarëve, por edhe të efektivëve të Policisë Rrugore dhe asaj Bashkiake për rrezikun që këto motomjete paraqesin për këmbësorët që shfrytëzojnë shëtitoret për të bërë xhirot e tyre mbrëmësore, por edhe në akset rrugore ku shpesh bëhen burim aksidenti.


Të drejtuara në shumicën e rasteve nga të mitur, që nuk kuptojnë rrezikun që mund të vijë prej tyre, këto motomjete shpesh mund të konsiderohen edhe si kamikazë të rrugës.
M.B.





