Në datën 29 gusht, nisi faza e parë e regjistrimeve për vitin akademik 2025-2026 për maturantët fitues në universitetet publike dhe private.

Ndërkohë, sot, kur data shënon 9 shtator, mbyllet faza e gjashtë e regjistrimeve dhe mbetet vetëm faza e fundit 48-orëshe (faza e shtatë), që maturantët të regjistrohen në një nga degët e preferuara.

Në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”, regjistrimet kryhen çdo ditë nga ora 08:00 – 16:00 në Kampusin Universitar në Spitallë dhe në godinën qendrore në Currila.

Por tashmë kur regjiistrimet po shkojnë drejt fundit, “DurrësLajm” zbulon cilat janë degët më të preferuara nga studentët e rinj, por edhe ato me më pak regjistrime.

Degët me numrin më të lartë të studentëve të regjistruar janë “Informatika ekonomike” dhe “Shkenca kompjuterike”, si dhe “Infermieri e përgjithshme”.

“Risi për këtë vit janë edhe regjistrimet në programin e studimit “Teknik laboratori”, që është futur këtë vit dhe ka pasur shumë kërkesa”,– bëjnë të ditur të njëjtat burime.

Zhvillimi i teknologjisë gjatë viteve  të fundit orienton shumë studentë të rinj drejt “Teknologjisë së Informacionit” apo “Shkencave Kompjuterike”, pasi janë ndër profesionet më të kërkuara në tregun e punës dhe për këtë arsye ato vazhdojnë të regjistrojnë numrin më të madh të studentëve.

Toplista e degëve më të preferuara në UAMD nuk pritet të ndryshojë shumë, tashmë kur ka mbetur vetëm faza e fundit e regjistrimit.

Por cilat janë degët më pak të preferuara?

Sipas të njëjtave burime, “Gazetaria”, “Marrëdhënie me publikun” dhe “Filozofi – Sociologji” janë programet e studimet më numrin më të ulët të regjistrimeve.

Burime zyrtare të universitetit bëjnë të ditur se asnjë program studimi nuk rrezikon të mbyllet, pasi eedhe në degët më pak të preferuara nga studentët e rinj, regjistrimet kanë qenë të kënaqshme.

Këtë vit të ri akademik, UAMD ka hapur për studentët 3 degë të reja “Punë Sociale”, “Teknik laboratori” dhe International Business (marrëveshje diplome të dyfishtë me Universitetin e Bragançës, Portugali).

M.B.