Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” Leonardo Prezës, i cili akuzohet si i dyshuar për përdhunimin e turistes 18-vjeçare italiane.

Përpara trupit gjykues ai ka deklaruar se nuk mban mend asgjë, pasi ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike.

Sipas dëshmisë së 18-vjeçares italiane, por dhe nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë, ngjarja ndodhi në shezlongët e një hoteli në Durrës rreth orës 05:30 të mëngjesit të 5 shtatorit. Po ashtu turistja italiane ka deklaruar se kundërshtoi dhe refuzoi, por Preza abuzoi seksualisht me të përmes forcës, duke i shkaktuar edhe dëmtime fizike.

VENDIMI I GJYKATËS SË DURRËSIT PËR MASËN E SIGURISË:

VENDIM

 (i përmbledhur)

NË EMËR TË REPUBLIKËS

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e përbërë në trup gjykues prej:

GJYQTAR : S. MARA

… me pjesëmarrjen e sekretares gjyqësore Znj. S.Beka, në Durrës, sot më datë 09.09.2025, mori në shqyrtimin, në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, çështjen penale me nr. (598) regjistri themeltar, që iu përket palëve:

Kërkues: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës; Përfaqësuar në gjykim nga prokurorja e çështjes Znj. Xh.Hako.

Person nën Hetim: L.P., atësia: B., amësia: F., i datëlindjes .1999, lindur në K., S., D. dhe banues në Durrës, në adresën: Lagjja nr., Sektori “”, Durrës; pa arsim, me gjendje civile i martuar, me gjendje gjyqësore i dënuar, dhe me shtetësi shqiptare; Përfaqësuar në gjykim, nga mbrojtësja e caktuar kryesisht nga organi procedues, Avokate L Tanko, anëtare e Dhomës Vendore të Avokatisë Durrës.

Akuza: Kryerja e veprave penale “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, të parashikuar nga neni 102, prg.1, i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Objekti: Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim L P. / Caktimin ndaj personit nën hetim, L.P, të masës së sigurimit personal “arrest në burg” të parashikuar në nenin 238 i Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.

Baza Ligjore: Neni 228-230, 238, 244, 251, 252, 258, dhe 259 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.

Gjykata, në përfundim gjykimit të zhvilluar në prani të Prokurorit, të personit të arrestuar si dhe të mbrojtësit të tij ligjor, pasi shqyrtoi në tërësi rrethanat e çështjes, çmoi dhe vlerësoi provat e marra në seancë gjyqësore, në bazë dhe për zbatim të nenit 112 dhe 259 të Kodit të Procedurës Penale:

VENDOSI

1.Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim L. P.., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, të parashikuar nga neni 102, prg.1, i Kodit Penal.

2.Caktimin ndaj personit nën hetim L. P., të masës së sigurimit personal “arrest në burg” të parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.   

3.Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore.

4.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.

U shpall në Durrës, sot më datë 09.09.2025.