Kundërshtojnë me forcë prishjen e banesave të tyre të ndërtuara shumë dekada më parë në një nga zonat më të rëndësishme historike të qytetit të Durrësit.
Vendimi i marrë në fund të muajit gusht nga qeveria Rama për shpronësimin e 74 familjeve që preken nga projekti TID, që do të zbatohet në atë që qeveria e ka cilësuar parku arkeologjik i qytetit, u ka rënë banorëve si bombë, sepse siç deklarojnë nuk kishin dijeni se pronat e tyre do të përfshiheshin në projekt.
Mosprishja e banesave dhe bizneseve të tyre, por edhe shpronësimi me vlerën e tregut, janë kërkesat kryesore të familjeve autoktone të qytetit.
“Ajo që kërkojmë ne këtu është të rishikohet projekti, ne kundërshtojmë shembjen, sepse këto shtëpia kanë një histori. Nuk janë shtëpi që janë ndërtuar sot, kanë një historik 2000-vjeçar.“
“Ky lajmi që na erdhi, që pamë emrat në gazetë, na erdhi si bombë. Unë kam 64 m2, jam në mes të bulevardit dhe bashkia thotë do të bëj lulishte. Do prishë 4 shtëpi vetëm për të qëndruar një karakatinë 2 katëshe.”
“Nuk duam të na e shembin, na hedhin poshtë 3 breza punë! Ka punu im atë dhe nëna ime, kam punu unë dhe gruaja ime, po punojnë fëmijët e mi. po na marrin jetën dhe s’kemi ku të dalim! Dalim me çadra nesër”.
“Kam një biznes që është 33 m2 dhe koston e tij ma nxjerr 15 milionë lekë të vjetra, sepse ndërtimi i atij objekti është i vitit 1972 dhe këta thonë që ti do të shpronësohesh përmes Entit të Banesave. Gjëja më ordinere, që këta diskutojnë”,- deklaruan disa nga qytetarët që preken nga projekti për rijetëzimin e zonës.
E ndërsa shumë banesa do të prishen në këtë zonë, vetëm pak metra larg prej godinave që preken nga projekti, një pallat shumëkatësh ka nisur të ndërtohet.
“Shife ja, 2500 euro m2 shitet në këtë pallat pa hap themelet. Ngjitur jemi. Ajo është lulishte, bëhet pallat. Ne e kemi godinë do na e prishin, që të bëhet lulishte”,- thotë qytetari Pluton Nishani.
Disa prej banorëve kërcënojnë se do të marrin veprime ekstreme, nëse fadromat do vijnë t’u rrafshojnë godinat.
“Ku të shkoj unë me një nënë 90-vjeçare. Ose të pijmë helmin, ose kur të vijë ekskavatori bashkë me nënën të lidhem me pranga dhe dhe ta bëjnë lulishte Rama dhe Sako, që duan të bëjnë lulishte kryevepër”.
Qeveria Rama ka miratuar vlerën e shpronësimit 315.5 milionë lekë, që do të përballohet nga buxheti i shtetit për dëmshpërblimin e 74 familjeve, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin përgjatë bulevardit “Epidamn” të qytetit.
Projekti i Fondacionit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim që do të aplikohet në zonën historike në qendër të Durrësit synon ruajtjen e trashëgimisë kulturore, zhvillimin e biznesit dhe turizmit në qytet. Nga ky projekt preken rreth 200 banesa dhe biznese.





