Një ditë pas përmbytjes së rrugëve dhe shumë lagjeve të qytetit të Durrësit, situata duket drejt përmirësimit. Por në zonat nga ku është tërhequr uji, gjurmët e përmbytjes kanë mbetur pas.

Oborri i Kishës Famullitare “Shën Dominiku” Durrës është i gjithi i mbuluar nga balta dhe pluhuri.

Në tregun industrial të qytetit, dëmet e shkaktuara tregtarëve, që ushtrojnë aktivitetin aty, janë të konsiderueshme. Shumë mallra janë ende të njomura nga uji dhe llumrat që shiu solli me vete, ndërsa shumë të tjera kanë përfunduar në kazanët e mbeturinave urbane, sepse nuk mund të rikuperohen më (video në fund të shkrimit).

E njëjta situatë në shtëpitë e përmbytura nga reshjet e dendura të një dite më parë.

Jemi vetëm në shiun e dytë të kësaj fillim vjeshte dhe qyteti u shndërrua në shumë zona në një pishinë të madhe. Përmbytja e Durrësit nuk është një lajm i ri, madje është një ritual që përsëritet çdo vit, aq sa qyteti 3000-vjeçar shpesh krahasohet me Venecian!

Drejtorët pezull dhe aksioni “Tokë e xanun”

Pas një vere të nxehtë, që në korrik dhe gusht u shoqërua me aksionin masiv “Tokë e xanun” ndaj ndërtimeve të paligjshme, mbase nuk doli koha për kontrollin dhe mirëmbajtjen e gjithë rrjetit të kanaleve të ujërave të larta dhe kanalizimeve nëntokësore, mirëfunksionimi i të cilave eviton përmbytjen e lagjeve më problematike. Të gjitha ndërmarrjet me mjetet e rënda të tyre ishin në funksion të prishjeve!

Mbajtja pezull e një sërë drejtorish, pasi do të vlerësohej performanca e titullarit dhe qëndrimi i tij ose jo në punë mund të ketë dhënë efektin e saj në mos gatishmërinë maksimale të stafeve të këtyre drejtorive gjatë korrikut dhe gushtit.

Gjithsesi Durrësi është përmbytur edhe kur drejtorët kanë qenë në eficensë të plotë!

Përmbytjet që përsëriten dhe investimet që nuk japin rezultate

Përmbytjet tek zona e ish-Kënetës, lagjja nr.17 dhe 18, Shkozet, Plazh, rrethrrotullimi tek stacioni i trenit nuk regjistrohen për herë të parë dhe fatkeqësisht as të fundit.

Në më shumë se dy dekada qyteti qeveriset nga e majta, ndërsa prej 12 vitesh edhe pushteti qendror i takon PS-së.

Në gjithë këto vite janë premtuar dhe realizuar disa investime që do të evitonin përmbytjen e qytetit, siç ishte në vitin 2020 rehabilitimi i kanalit të ujërave të larta me vlerë 45 558 751 lekë, apo ndërhyrja nga ana e UKD-së në rrjetin e kanalizimeve në qytet, që do t’i jepte zgjidhje përmbytjeve nga stacioni i trenit deri tek pjesa e stadiumit.

A u konkretizuan me rezultate? A u evituan përmbytjet?

Nëse JO, pse???

Në fund të janarit të këtij viti, qyteti përjetoi një tjetër përmbytje masive. Mbi 300 banesa u përmbytën, ndërsa mbi 40 ha tokë bujqësore ishin nën ujë. Problematikat më të theksuara ishin në zonën e ish-Kënetës, Shkozetit, pjesërisht Zona e Plazhit etj.

Po kur përmbytjet përsëriten dhe përsëriten në po të njëjtat zona ka faj perëndia që hedh shi, apo autoritetet që nuk i japin zgjidhje konkrete kësaj problematike, që vit pas viti qytetarëve të prekur u shkakton dëme të konsiderueshme materiale?

Paaftësia e një sërë institucionesh e drejtorish për të mirëmbajtur rrjetin aktual të kanaleve të ujërave të larta dhe kanalizimeve të qytetit si dhe për të zbatuar projekte që do t’i jepnin zgjidhje konkrete problematikës së përmbytjeve e rikthen çdo herë Durrësin në një Venecia nga halli.

Dhe rezultati është ai që shohim pas çdo përmbytjeje, punëtorë që dalin me mjete rrethanore të lirojnë pusetat e bllokuara, apo me pompa të thithin ujin nga zonat e përmbytura.

Mision i pamundur, evitimi i përmbytjeve?

Edhe sa herë do duhet të përmbytet Durrësi që të marrë zgjidhje konkrete situata e përmbytjeve shtron pyetjen çdo qytetar durrsak.

Në qytetin ku m2 i apartamenteve ka kapur shifrën 2000-2500 euro, blerësit potencialë mundësisht duhet të vijnë në ditë me kohë të mirë, në të kundërt rrezikojnë mos ta blejnë pronën!

Shiu do të vazhdojë të bjerë, strukturat vendore nuk mund ta ndalojnë dot. Por të paktën të kenë marrë të gjitha masat e nevojshme për të evituar përmbytje të tjera të qytetit.

Megjithëse, në një qytet si Durrësi, ky duket mision i pamundur!

M.B.