Ka ndërruar jetë krejt papritur në moshën 57-vjeçare Ajet Avdullaj, një nga emrat më të njohur të modës në Durrës dhe Shqipëri. Stilisti u shua pas një ataku kardiak, duke lënë pas dhimbje të thellë tek familja, miqtë dhe bota e modës.
Avdullaj ishte ndër të parët që ngriti pasarelat e modës në vend, duke sjellë koleksione që bashkonin traditën me modernitetin. Ai ka veshur emra të njohur si Hygerta Sako, Valbona Çobo dhe shumë modele të tjera shqiptare, ndërsa ateljenë e tij e kanë frekuentuar politikanë dhe biznesmenë të rëndësishëm, mes tyre Fatos Nano dhe Shefqet Kastrati.
Krijimtaria e tij u shqua për elegancën dhe finesën, duke e kthyer atë në një figurë të pazëvendësueshme të skenës së modës shqiptare. Përveç artit, Avdullaj kujtohet edhe për virtytet e larta njerëzore që e bënë të dashur për të gjithë ata që e njohën.
Humbja e tij la boshllëk të madh, ndërsa ai do të mbahet mend gjithmonë si pionier i modës dhe njeriu që i dha hijeshi pasarelave shqiptare.





