Prej disa ditësh, familja e 68-vjeçarit çek Pavel Pospisil është në ankth, pasi ai ka humbur pa lënë gjurmë në Durrës.
Turisti është parë për herë të fundit më 12 shtator, rreth orës 11:00 paradite, kur është nisur për të bërë një ekskursion në Shkëmbin e Kavajës. Para se të largohej nga plazhi, ku po pushonte bashkë me gruan, vajzën dhe djalin, Pavel u ka thënë atyre se po shkonte në dhomë të vishej e pastaj do të ngjitej në shkëmb. Që nga ai moment, familja ka humbur kontaktet me të.
Familjarët e tij bëjnë apel për ndihmën e qytetarëve, për këdo që mund ta ketë parë ose ka ndonjë informacion për vendndodhjen e tij. Kërkimet janë përqendruar përgjatë Shkëmbit të Kavajës, ku gjatë ditës së sotme, efektivëve të policisë vendore u janë bashkuar edhe 4 ekskursionistë të ardhur nga Çekia, për të ndihmuar me kërkimet.
Kushdo që ka informacion mbi vendndodhjen e tij, lutet të kontaktojë menjëherë në numrin e policisë 129.






