Momente acarimi kanë shoqëruar protestën e sotme të banorëve të zonës historike të Durrësit, të cilët preken nga shpronësimet, që do të kryhen në kuadër të projektit TID. Këtë herë banorët kishin zgjedhur të protestonin para institucionit të qeverisjes vendore dhe kërkonin takim me kryebashkiaken Emiriana Sako.

Që nga fundi i muajit gusht, 74 familjet të cilave u ka dalë emri në Fletoren Zyrtare për shpronësimin e pronave të tyre, që do të shemben për t’i hapur rrugë zbatimit të projektit të Fondacionit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim nuk po gjejnë qetësi.

Një ditë më parë, atyre u ka ardhur shkresa zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, në të cilën përcaktohet vlera përkatëse e shpronësimit për secilin banor, si dhe u jepet afat kohor 30 ditë për t’u ankuar në gjykatë për vlerën e shpërblimit, që do të marrin për prishjen e banesave dhe bizneseve.

Sipas njërit prej banorëve, ditën e hënë, një përfaqësi prej 5 banorësh do të takohet me kryebashkiaken Sako.

Qeveria Rama ka miratuar vlerën e shpronësimit 315.5 milionë lekë, që do të përballohet nga buxheti i shtetit për dëmshpërblimin e 74 familjeve, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin përgjatë bulevardit “Epidamn” të qytetit.

M.B.