Paraditen e kësaj të premteje, Ministria e Drejtësisë mbajti në Durrës tryezën e dytë konsultative mbi draftin e ri të Kodit Penal. Në këtë aktivitet morën pjesë magjistratë të gjykatave dhe prokurorive me seli në Durrës dhe Fier, si edhe përfaqësues të profesioneve të lira ligjore si avokatë, noterë dhe përmbarues gjyqësorë.

Gjatë diskutimeve, të pranishmit ngritën disa problematika përsa i përket dispozitave të Kodit të Ri Penal.

Suela Xhani, gjyqtare: “Kam konstatuar se gjuha e përdorur në aspektin gramatikor, stilistik, sintaksor përmban në disa nene fjali të gjata, që janë pak të mbingarkuara, përdorim i shpeshtë i parafjalëve, lidhëzave, por kanë edhe mbingarkesë kontekstuale. Në një dispozitë ka shumë institute, ndoshta mund të rishikohet kjo pjesa që të bëhet ndarja e këtyre, pjesëzimi që të bëhen fjali pak më të thjeshta.”

Ervin Sulaj, gjyqtar: “Në total janë 950, pjesa tjetër janë dispozita të posaçme. Më duket një numër goxha i madh për t’u absorvuar nga publiku dhe nga zbatuesit e këtij kodi”.

Olti Skrame, gjyqtar: “Një vendimmarrje e gjykatës për të thënë që një arrestim është i paligjshëm, prokurori që e ka urdhëruar të ketë përgjegjësi penale. Se di nëse është ky qëllimi, por nëse është ky qëllimi realisht, ky nen duhet hequr direkt. E njëjta gjë përsa i përket 521 “Ngritja e paligjshme e akuzës”. Besoj se cënimi në pjesën e kompetencës së prokurorisë është ekstrreme në këtë rast”.

Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi dhe njëkohësisht një nga hartuesit e këtij kodi deklaroi se dispozita të veçanta, të cilat mund të keqkuptoheshin nga gjyqtarët e prokurorët mund të hiqen nga drafti.

Duke u ndalur tek dispozita për Bigaminë, e cila në Kodin e ri konsiderohet vepër penale, Rakipi shpjegoi se pse ajo është përfshirë në nenin 742 të draftit që është hedhur për konsultim publik.

“Ligji duhet të synojë që kjo barazi të jetë efektive, të mos lejojë që gratë të përdoren si objekte seksi apo si makina riprodhimi kur burrat kanë nevoja të tilla. Gruaja duhet ta ndajë jetën e saj në mënyrë të barabartë, ashtu si burri, ta gëzojë atë në mënyrë të njëjtë me burrin dhe të mos jetë e shtyrë për shkak të zakoneve të mbrapshta të ndajë krevatin, ëndrrat, fëmijët apo jetën me këdo tjetër”.

Tryeza synonte të krijonte një hapësirë të posaçme informimi dhe shkëmbimi mendimesh mbi përmbajtjen dhe objektivat kryesore të draftit të ri penal.

M.B.