Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, përmes një postimi në rrjete sociale ka bërë të ditur se për të evituar abuzimin e qytetarëve me hedhjen e pajisjeve dhe materialeve të ndryshme në pikat e dedikuara për hedhjen e mbetjeve urbane familjare, këto pika po monitorohen me kamera.

Sako shkruan se kamerat e sigurisë janë vendosur në zonat ku janë konstatuar raste të përsëritura të shkeljeve nga ana e qytetarëve.

Materialet filmike që dokumentojnë këto shkelje janë referuar në organet kompetente për ndjekje ligjore.

“Qyteti është i të gjithëve – pastërtia është përgjegjësi e përbashkët!”,– shkruan Sako, ndërsa apelon që të gjithë të respektojnë hapësirën e përbashkët.

Postimi i plotë:  

Qyteti është i të gjithëve – pastërtia është përgjegjësi e përbashkët!

Pavarësisht se rregullorja për depozitimin e mbetjeve urbane është e qartë, fatkeqësisht vijon abuzimi me hedhjen e pajisjeve dhe materialeve të ndryshme në pikat e dedikuara për mbetjet familjare.

Në zonat ku janë evidentuar raste të përsëritura, si në këto raste konkrete, kemi vendosur kamera sigurie dhe dokumentuar shkeljet.

Materialet i kanë kaluar autoriteteve përkatëse për ndjekje të mëtejshme ligjore.

Respektoni hapësirën e përbashkët!

Ndihmoni në mbajtjen e qytetit të pastër për veten dhe komunitetin.