Banorët dhe bizneset që preken nga projekti TID Durrës kanë paditur sot në SPAK ish-ministren e Kulturës Elva Margariti, ministrin aktual Blendi Gonxhja, kryebashkiaken Emiriana Sako, dy përfaqësuesit e Fondacionit Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim si dhe 3 studiot e projektimit që kanë hartuar dhe miratuar këtë projekt.
Banorët kanë ngritur padi për “Falsifikim të materialeve” dhe për një sërë shkeljesh të tjera, pasi sipas tyre, nuk është bërë një konsultim publik për tjetërsimin e pronës së tyre. Projekti prek 74 banesa dhe biznese që shtrihen përgjatë bulevardit “Epidamn”.
Në një postim në rrjete sociale, në emër të familjeve të prekura, arkitektja Entela Koja Spahivogli, shkruan se padia në SPAK “përfaqëson një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve tanë”.
Më tej në postim arkitektja thekson se “Nuk mund të hartohen apo zbatohen plane zhvillimi pa njoftuar dhe konsultuar banorët. Nuk mund të lëvizet as një tullë apo dritare pa transparencë të plotë. Mbi të gjitha, nuk mund të kryhen shpronësime me çmime të padrejta e pa negociata të ndershme”.
Postimi i plotë:
Rasti i padisë penale që kemi depozituar në SPAK për projektin TID në Durrës përfaqëson një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve tanë.
Ne po kërkojmë një zhvillim urban që respekton ligjin, transparencën dhe njerëzit. Nuk mund të hartohen apo zbatohen plane zhvillimi pa njoftuar dhe konsultuar banorët. Nuk mund të lëvizet as një tullë apo dritare pa transparencë të plotë. Mbi të gjitha, nuk mund të kryhen shpronësime me çmime të padrejta e pa negociata të ndershme.
Ky rast synon të bëhet një model për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në Shqipëri, dhe një mësim i qartë se zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të ndërtohet pa respekt për komunitetin që prek.





