Prokuroria e Durrësit hapi sot 102 kontejnerët, që ndodhen prej muajsh në zonën industriale të Porto Romanos, me qëllim verifikimin e përmbajtjes së tyre dhe përcaktimin nëse bëhet fjalë për mbetje të rrezikshme apo jo. Mbetjet e dyshuara toksike mendohet se kanë dalë nga furrat e çelikut të Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit.

Mostrat e marra do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar saktësisht përbërjen dhe nivelin e rrezikshmërisë, ndërkohë që procesi i marrjes së mostrave pritet të zgjasë disa ditë.

Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Durrësit dhe n# përfundim të tyre pritet të saktësohet nëse bëhet fjalë ose jo për mbetje të rrezikshme.

Rasti u denoncua fillimisht nga Rrjeti  i Veprimit të Bazelit, që ngriti dyshime se brenda kontejnerëve mund të ndodhen mbetje të rrezikshme të ardhura nga jashtë vendit.

Kontejnerët u kthyen nga Tajlanda në portin e Durrësit  përmes anijes Maersk në fund të tetorit të vitit të kaluar dhe, pas rreth dhjetë ditësh qëndrimi në radë, u zhvendosën në zonën e Porto Romanos, ku ndodhen nën mbikëqyrje të rreptë policore dhe monitorim 24-orësh me kamera sigurie.