Një mjet i rëndë që qëndron prej muajsh pa lëvizur, ujëra të zeza të dala në sipërfaqe dhe blloqe betoni të shkulura nga vendi e të hedhura kuturu.


Kjo është panorama që ofron prej muajsh pjesa fundore e shëtitores “Taulantia”, afër Sfinksit, aty ku është planifikuar të zbatohet projekti i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Qëllimi i projektit të studios spanjolle, të themeluar nga arkitekti i famshëm Ricardo Bofill, është përmirësimi i aspektit viziv të kësaj hapësire publike, që frekuentohet në masë të madhe nga qytetarët durrsakë, në çdo stinë të vitit.


Por për muaj të tërë kjo hapësirë është kthyer në një kantier të braktisur duke shkaktuar indinjatë tek frekuentuesit e rregullt të shëtitores dhe komunitetin e zonës.
“Qeveri hajdutësh kjo, s’kanë mend me bo punë, kanë mend me vjedh. Kanë marrë paret dhe kanë ik! Është shumë problem për erën e keqe që vjen këtu.”
“Këta janë për të vjedh, nuk janë për të punu! Nëse fillojnë punojnë, duhet ta përfundojnë. Ne vijmë nga jashtë dhe shohim këtë kështu. Atje hanë, kurse këtu është pisllëku, era e rëndë, që është edhe më keq!”
“E filluan në fillim të verës, punuan një javë në maj, punuan një javë në qershor dhe u zhdukën, ndoshta sepse gjatë verës nuk punohet në bregdet. Tani akoma s;’kanë filluar”,- thonë qytetarët për “DurrësLajm”.
Kjo është ndërhyrja e tretë në shëtitoren “Taulantia” në harkun kohor të 5 viteve të fundit, që konsiston në rehabilitimin e saj. Për një emigrant, ndërhyrje kaq të shpeshta tregojnë mungesën e vizionit të projektuesve për të realizuar një investim afatgjatë.
“Këtu bëhet vjedhje. Kur bëhet një planifikim bëhet një planifikim shumëvjeçar. Këtu nuk bëhen investime për perspektivën, këtu bëhen planifikime se kush do të vjedhë”.


Në ndërhyrjen që financohet nga BERZH dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit planifikohet ndër të tjera ndërtimi i një dallgëthyesi dhe zëvendësimi i bankinës së drunjtë me pergolate betoni me lartësi mbi 2 metra.

Investimi duhej të mbyllej brenda 8 muajsh, por si duket edhe turistët e vitit të ardhshëm do t’i gjejnë ende punimet të papërfunduara.
M.B.





