Në rrugët e Durrësit, paraditen e sotme mungonin monopatinat.

Burime nga Policia Rrugore vendore konfirmuan për “DurrësLajm” se mëngjesin e kësaj të hëne nuk kishin konstatuar qarkullimin e asnjë skuteri elektrik në rrugë. Mesa duket, vendimi i komunikuar një ditë më parë ka dhënë efekt.

Një lajm i mirë ky për drejtuesit e mjeteve, për të cilët skuterat elektrikë ishin kthyer në një makth të vërtetë, sepse në çdo moment rrezikonin të ktheheshin në burim aksidenti.

Një ditë më parë, ministrja e brendshme Albana Koçiu, së bashku me drejtorin e Policisë së Shtetit Ilir Proda njoftoi se nga kjo e hënë do të ndalohej përkohësisht qarkullimi me monopatina elektrike në rrugë.

Vendimi i Ministrisë së Brendshme erdhi pas 991 rasteve të raportuara nga urgjencat, lidhur me aksidentet rrugore ku kanë mbetur të përfshirë drejtuesit e skuterave elektrikë.

Ministrja deklaroi se ndalimi i qarkullimit të monopatinave do të vijojë derisa të hartohet një rregullore strikte e bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, ministrja paralajmëroi edhe subjektet private që i japin ato me qira.

Gjithashtu dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën si mënyrë biznesi për dhënien me qira ditore duhet ta kenë të qartë të mos investojnë në këtë aktivitet. Lejimi gjithmonë pas përfundimit të këtij procesi do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve.”,- tha Koçiu.

Javë më parë, në Durrës u mor një tjetër masë nga ana e bashkisë për ndalimin e qarkullimit me monopatina në shëtitoret dhe sheshet e qytetit bregdetar, ku skuterat ishin kthyer në shqetësim serioz për sigurinë e kalimtarëve.

M.B.