Festa e Ullirit në Durrës është kthyer prej vitesh në një traditë të dashur për qytetin bregdetar.
Në kuadër të kësaj feste, më 25 tetor 2025 u zhvillua ceremonia festive në një nga qendrat tregtare të qytetit, ku Shoqata “Durrësi Autokton” nderoi me titullin e lartë “Nderi i Qytetit të Durrësit” tre personalitete të shquara të inxhinierisë: Ing. Aleksandër Sheldia, Ing. Donika Suraj (Kosti) dhe Ing. Niko Lito.
Aktiviteti u shoqërua me një koncert festiv ku morën pjesë këngëtarë durrsakë dhe grupi i valleve i studios së baletit “Arian Plaku”, duke sjellë atmosferë gëzimi dhe krenarie qytetare.
Pjesë e traditës së përvitshme ishte edhe mbjellja simbolike e fidanit të ullirit, e cila u zhvillua të shtunën më 25 tetor në orën 11:00 në lulishten pranë Bibliotekës Publike Durrës, si shenjë e vazhdimësisë së kësaj nisme që bashkon qytetarët përmes vlerësimit të traditave lokale.





