Është zbardhur dëshmia e Marjan Kodhelit, 25-vjeçarit që vrau me thikë të atin, Pjetër Kodheli, në fshatin Shkallnur të Durrësit, ngjarje e ndodhur mesditën e djeshme (28 tetor).
Sipas dëshmisë së dhënë në polici, “DurrësLajm” mëson se i riu ka treguar se konflikti ndodhi gjatë kohës që po hanin drekë dhe se nuk e kujton saktësisht momentin e sulmit.
“Ishim duke ngrënë bukë dhe babai mu turr. Nuk më linte të haja bukë i qetë. Nuk e mbaj mend pse ndodhi, por kemi pasur grindje të vazhdueshme që kur jam kthyer nga Greqia para 6 muajsh. Kam jetuar në Francë për rreth 6 vjet, kam pasaportë franceze, më pas kam shkuar në Greqi dhe kam punuar 6 muaj. Nga Greqia u ktheva në shtëpi dhe isha i papunë. Sherri ndodhi teksa hanim drekë, nuk e di si ndodhi… mora thikën dhe e qëllova,” – ka rrëfyer ai.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se familjarët kanë treguar se 25-vjeçari kishte shkuar në spital rreth dy vite më parë për një kontroll mjekësor. Mjekja i kishte rekomanduar një vizitë te psikiatri për të vlerësuar gjendjen e tij mendore, por as ai dhe as familja nuk kanë pranuar, duke pretenduar se nuk kishte probleme me shëndetin mendor.
Bëhet me dije se edhe babai i tij, në atë kohë, ka deklaruar në spital se djali nuk kishte nevojë për trajtim dhe ishte në gjendje të mirë.
Nga hetimet paraprake mësohet se 69-vjeçari është goditur me thikë në zemër, plagë e cila i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.





