Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën arrest me burg në mungesë për Aleksandër Lahon i njohur si “rrumi”. Bëhet me dije se e njëjta masë sigurie është lënë në fuqi edhe pë vëllain e tij Vullnet Muça dhe shtetasin Vlash Brahja të dyshuar për tjetërsimin e tokave në gjirin e Lalzit.

Gjithashtu GJKKO ka marrë vendimin edhe për Enea Kume, vëllain e deputetit socialist Loer Kume. Ky i fundit është lënë me masën arrest me burg, pasi dyshohet si i përfshirë në rolin e vëzhguesit në vrasjen e Edmir Bregut, ngjarje e ndodhur në vitin 2021 në Durrës në bashkëpunim me Aldo Avdylin. 

Zbardhja e vrasjes së Edmir Bregut

SPAK zbardhi vrasjen e Edmir Bregut, përmes përgjimeve në Sky ECC. Sipas Prokurorisë së Posaçme Bregut është ekzekutuar për hakmarrje. Ndërsa si drejtues i grupit të strukturuar kriminal dhe si porositës i vrasjes për hakmarrje dyshohet të jetë Astrit Avdylaj në shenjë hakmarrjeje për tentativën për të vrarë nipin e tij, Aldo Avdylaj.  Edmir Bregu alias Ilir Kuçi 32 vjeç ishte me origjinë nga Kukësi dhe jetonte në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Pasditen e 23 janarit 2023, ai po qarkullonte me makinën e tij tip “Porsche Cayene” në lagjen nr.16 të Durrësit. 32-vjeçari u ekzekutua me dy plumba, një në kokë dhe një në gjoks sapo zbriti nga makina e tij.

Tjetërsimi i pronave 

Disa dokumente të gjetura në automjetin e ish-prokurorit Arjan Ndoja, ditën kur iu bën atentat nëntorin e vitit 2019 nën shoqërinë e Aleksandër Lahos, ndihmuan SPAK të zbardhte skemën e mirëfilltë të përvetësimit të pronave shtet në bregdetin e Durrësit. Në krye të këtij grupi të përfshirë në tjetërsimin e pronave, Prokuroria e Posaçme akuzon Aleksandër Lahon (ose Rumi i Shijakut), i cili është në kërkim. Si pjesë të këtij grupi, SPAK thotë se janë edhe Vullnet Muça (vëllai i Aleksandër Lahos) ; Astrit Avdylaj alias Astrit Balliu dhe Vlash Brahja.

Anëtarët e grupit kanë falsifikuar dokumente të ndarjes së tokës në fshatrat Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj të rrethit Durrës si dhe të ish Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës.  Pasuritë e regjistruara në kundërshtim me ligjin, regjistroheshin në emrin e fshatarëve të fshatrave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve nuk kishin dijeni se ishin pronarë të këtyre pasurive.