Peshëngritësja e talentuar e KSHS Teuta, Enkileda Carja, shpallet kampione e trefishtë e Europës në Europianin për të rinj dhe U23 që po zhvillohet në Durrës.
Carja dhuroi spektakël duke thyer 3 rekorde europiane në kategorinë Youth (63 kg), si edhe 1 rekord bote në shkëputje për Youth.
Rezultatet:
• Shkëputje: 98 kg
• Shtytje: 118 kg
• Dygarësh: 216 kg
Carja i realizoi me sukses të gjashta provat, duke shfaqur një performancë të jashtëzakonshme dhe të mbushur me vetëbesim e teknikë perfekte falë punës së palodhur të saj dhe të trajneres Eglantina Kalemi.
Me këtë paraqitje, Enkileda përmirësoi edhe rezultatin e saj nga Botërori i Perusë, ku kishte ngritur 213 kg në total.
Një arritje madhështore për Teutën dhe një krenari e madhe për sportin shqiptar.
Peshëngritësen e talentuar të KSHS Teuta e ka uruar edhe kryebashkiakia Emiriana Sako nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale:
“Urime të përzemërta peshëngritëses sonë të jashtëzakonshme, 🏋️♀️ Enkileda Carja, që shkëlqeu në Kampionatin Europian për të Rinj & U23 që po zhvillohet në 📍 Durrës, duke u shpallur kampione e trefishtë e Europës! 🥇Me një performancë fantastike, Enkileda theu 3 rekorde europiane dhe madje edhe 1 rekord bote, duke treguar forcë, vendosmëri dhe përkushtim shembullor! 🙏 Ky është një sukses i madh për KSHS Teuta, për trajneren Eglantina Kalemi, dhe për gjithë qytetin tonë që është krenar për kampionët e tij! 👏”, shkroi Sako.





