400 libra në gjuhën italiane iu shtuan fondit të bibliotekës së shkollës së mesme “Leonik Tomeo”. Botimet ishin dhuratë e Rotary e-Club Durrës 24 dhe italianit Giuseppe Laterza nga shtëpia botuese me të njëjtin emër.

Me këtë rast në ambientet e blibliotekës u zhvillua një ceremoni e veçantë, e cila kishte të ftuar nderi kryetarin e bashkisë së Barit, Vito Leccese.  

Drejtori i shkollës Tomor Agalliu gjatë fjalës së rastit falenderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe i njohu me një historik të shkurtër të kësaj shkolle dhe figurës së nderuar emrin e së cilit ajo mban.

Ndërsa drejtoresha e ZVA Durrës, Amarilda Thërmija vlerësoi maksimalisht këtë donacion dhe falenderoi anëtarët e Rotary e-Club Durrës 24 për mbështetjen e vazhdueshme.

Për kryetarin e bashkisë së Barit, lidhja kulturore mes vendeve forcon më shumë lidhjet diplomatike dhe ato ndërkufitare.

“Në mesin e viteve 90 kam njohur një intelektual shqiptar, regjisorin Pirro Milkani. Gjatë viteve të vështira për ju, 1997 dhe 1998, së bashku me Pirron iniciuam bashkëpunimin “Ura e librave mes Barit dhe Shqipërisë”, sepse mendonim që përmes kulturës të gjithë mund të komunikonim më shumë me njëri-tjetrin. Kultura thyen kufinjtë dhe ndasitë dhe krijon ura komunikimi.”– tha Leccese.

Dhe pikërisht kësaj ideje i shërbeu dhe takimi i sotëm. Falë bashkëpunimit që startoi, vitin e ardhshëm do të bëhet realitet një vizitë në Bari e një delegacioni mësuesish dhe nxenësish nga kjo shkollë në kryeqendrën pulieze.

“Ne sot jemi dëshmitarë të një dhurimi librash që miqtë tanë nga Bari bëjnë për shkollën tuaj. Ju e patë sesi kryetari i bashkisë së Barit ftoi nxënësit për një shkollë verore, verën e ardhshme në Bari. Rotary qëndron pikërisht për të bërë të tilla vepra të mira, për të ndërtuar ura mes popujve, sidomos me Italinë, me të cilën jemi miq të vjetër dhe do të mbetemi të tillë”,– tha presidenti i Distriktit rotarian 2485 Shqipëri-Kosovë, Arben Dushi.

Donacioni i sotëm i librave nuk përfundon këtu, pasi në të ardhmen kopje të botimeve që do të nxjerrë në treg shtëpia botuese italiane do të mbërrijnë në adresën e shkollës “Leonik Tomeo” për të vazhduar pasurimin e bibliotekës shkollore.