Gjatë vizitës së tij një ditore në Durrës, kryebashkiaku i Barit Vito Leccese u mikprit në ambientet e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, nga rektori Shkëlqim Fortuzi.

Lidhjet e forta mes universitetit të Durrësit dhe universitetit “Aldo Moro” në Bari synohet të intensifikohen edhe më shumë, pasi në takim ishte i pranishëm dhe profesor Giuseppe Morgese, i deleguar nga Rektori i Universitetit të Barit, Roberto Bellotti.

UAMD bashkëpunon ngushtë prej disa vitesh me disa prej universiteteve më në zë të Italisë, prandaj për rektorin Fortuzi takimi i sotëm është një tjetër hap i hedhur drejt ndërkombëtarizimit të mëtejshëm të universitetit.

Prej vitesh, Durrësi dhe Bari janë binjakëzuar me njeri-tjetrin dhe sipas kryebashkiakut Leccese tashmë është koha që binjakëzimi të kthehet në veprime konkrete mes dy qyteteve bregdetare.

“Po forcojmë më shumë lidhjet mes Barit dhe Durrësit. Janë dy qytete që i ndan vetëm deti Adriatik dhe që i lidh një histori e përbashkët. Dy qytetet kanë shumë gjera të përbashkëta dhe pikërisht mbi këto duhet të punojmë. Sot u takova me homologen Sako, me nxënësit e shkollës së mesme “Leonik Tomeo” dhe tani jam këtu me rektorin Fortuzi. Shpresoj që idetë të konkretizohen në veprime konkrete. Jemi dy qytete që kemi bërë binjakëzimin dhe ky binjakëzim duhet të konkretizohet me përmbajtje”.

Në takim ishte i pranishëm edhe Michele Di Lucia, Nën-kryetar i Komunës Chieuti, në provincën e Foggia-s, një komunë me popullsi arbëreshe.

Rotary E-Club Durrës 24 ka realizuar me komunën Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëvet) një marrëveshje bashkëpunimi përmes së cilës mundësohet që studentët arbëreshë të ndjekin studimet në UAMD me bursa të sponsorizuara nga klubi rotarian.

Marrëveshja synohet të shtrihet edhe në komuna të tjera arbëreshe, në rajonin e Pulias.

M.B.