Në makinat e braktisura prej kohësh në rrugët kryesore të qytetit të Durrësit tashmë kanë nisur të vendosen njoftimet përkatëse nga efektivët e Policisë Bashkiake.

Të gjithë pronarëve të këtyre automjeteve u kërkohet të marrin masa për largimin e tyre brenda 10 ditëve nga data e vendosjes së njoftimit në mjet.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, drejtori i komanduar i Policisë Bashkiake, Realdo Vrioni, tregon se vendimi u mor për shkak të problematikës që shkaktojnë këto mjete prej kohësh tashmë. Përveçse zënë vende parkimi në hapësira publike, shpesh ato kthehen në vatër ndotjeje për të gjithë zonën përreth.

Në përfundim të afatit 10 ditor, në bashkëpunim dhe me Policinë e Shtetit, mjetet e braktisura do të largohen me karrotrec në pikën e grumbullimit pranë Eco Park.

Aksioni pritet të shtrihet më pas edhe në rrugët dytësore dhe kuartallet e Durrësit.

Në të njëjtën kohë, një tjetër aksion i Policisë Bashkiake pritet të ndërmerret në ditët në vijim. Aksioni do të përqendrohet tek subjektet private që lëshojnë automjete me qira, por edhe qytetarët që zënë vendparkimet me mjete me njoftimin “SHITET”.

Për të mësuar më shumë mbi këtë aksion dhe të tjerë që po zbaton Policia Bashkiake ndiqni videon e mëposhtme.

M.B.