Nga Aleksandër Cangonja
Konaku i Durrësit e cila ishte selia e Shtetit të parë Shqiptar të njohur nga fuqitë e mëdha ishte pa dyshim një nga godinat më të mëdha (për të mos thënë me i madhi) në territorin zyrtar të Shqipërisë. Një objekt i ndërtuar në periudhën e perandorisë osmane, e cila ngrihej në buzë të limanit të atëhershëm, shërbeu si godinë administrative dhe më pas si pallat mbretëror i Princ Vidit deri në 6 muajt e mbretërimit të tij duke u pasuar nga qëndrimi i Esad Pashës si kryeministër deri në largimin e tij nga atdheu dhe ardhjen e Austro-Hungarezëve.
Fillimi i rrënimit të saj
Si ndërtesë pushtoi së ekzistuari tetor të vitit 1918 si pasojë e bombardimeve të Luftës së Parë Botërore. Nga ai moment deri kur u rrafshua totalisht pra në fund të viteve ’20 si pasojë e zbatimit të planit të ri urbanistik të qytetit, ajo ndërtesë qëndroi si karakatinë në qëndër të Durrësit, vetëm me muret e saja të larta. Por pa shkuar deri tek prishja, kemi një tentativë të parisë së qytetit që kjo ndërtesë të rindërtohej dhe të kthehej me madhështinë e mëparshme, duke ruajtur kështu një objekt me vlera historike të mëdha për shtetin e shqiptar.
Lutja e parisë së Durrësit drejtuar Presidentit Ahmet Zogu!
Ishte maji i vitit 1925, situata politike ishte e qetë me rikthimin e legalitetit dhe vendosjen në krye të shtetit shqiptar si President Ahmet Zogun. Në këtë muaj Zogu kishte pranuar propozimin e italianëve për krijimin e Bankës së Kombëtare Shqiptare, ekonomia kishte filluar të lëvizte në mirë, tregtia e cila në Durrës kishte impakt shumë të madh rinisi të lulëzonte, Durrësi kishte shumë nevojë për ndërtimin e objekteve të reja dhe meremetimin e atyre ekzistuese. Paria e Durrësit e mbledhur në sallën e bashkisë në një takim të madh u dakortësua për nisjen e një letre Presidentit të Republikës së sapo lindur Ahmet Zogut për rindërtimin e Konakut të Durrësit. Më poshtë letra e transkiptuar:
“Naltësiës Tij
Presidentit të Republikës
Tiranë
Tye marrë parasysh gjindjen historike të qytetit të Durrësit, dëshirojmë qi këtë t’a naltësojmë m’atë shkallë të merituëshme të kohnavet të vjetra, e më tjetër anë tye paë edhe randësiën si i pari port i Shqypnisë në bregun e Detit Adriatik; me e bamunë shembëll dhe me i dhanë nji Klas përparimi e civilizimi përpara botës qytetnuëme:
Prandaj.
Populli i Durrësit dëshiron me gjith zemër që këtë inisiativë, përparimi e civilizimi, t’a fillojmë piksëpari me ndreqjen e pallatit historik, qi ndodhet në gjindje tepër mizerable në formë të nji skeletit vetëm me katër murnat; gjë qi na trondit zemrën, dhe na jep dëshpërimin ma të madh n’atë mënyrë qi ndodhet e si do mos më nji vend afër bregut të Detit e lulishtes popullore, ku i vetmi vend dëfrimi asht ky, e kur se syët t’ona shofin nji ndërtesë historike me atë formë, na kujton qi jemi më nji vend mizerable e më nji vend mjerimi. Veçanërisht më nji vend si qyteti i Durrësit qi ka nji randësië të posatshme në pikpamje tregtare, dhe më nji vend qi dita me ditë vizitohet prej të huëjvet, pse ashtu nji skelë e parë e gjith Shqypnisë dhe e kryeqytetit nuk ban aspak përshtypjet e mira para vizituësavet të huëj. qi piksëpari syët e tyne rrafin në këtë ndërtesë historike, e t’a shofin m’atë gjindje mizerable, dhe u nep të kuptojnë se populli Shqyptar nuk ka marrë ndo nji çap përparimi, si që ndodhet në zemrën e Evropës, në zemrën e pozicionit, ku fryën era e kulturës dhe të përparimit.
Neve dëshirojmë qi pallati historik të ndreqet sa më parë e mos të lehet m’atë formë skeleti, por fatkeqësisht pozita jonë financiare na shtrëngon, qi këtë qëllim të Shenjtë të mos mundemi me e krye vetë (masi don spenzime tëpër të randa) po me ju lutun Shk. Juaj qi të mundet me na dhanë ndihmat e duhuna, me çeljen e nji burimi t’ardhunash, tye ju shtuë nji përqind të tjera taksit të Molos qi merret nga ana e Bashkiës Durrësit, për nji kohë e deri sa të përmbushet qëllimi i përmendunë, dhe kujtojmë se kjo do të merret parasysh prej Shk. Juaj, piksëpari si një mbrojtës e udhheqës i popullit në fushën e përparimit e të civilizimit, dhe me tjetër anë si një compatriot i këtij qyteti, qi Shk. Juaj pati mirësinë me e nderuë këtë qytet me ato fjalë të bukura, në rastin e ceremonisë themelavet të Villës.
Ky taks qi do të mundet të shtohet, gjith populli e tregtarët e pranojnë me gëzim të madh, dhe kemi nderin t’ju sigurojmë se as kush nuk e ndjen dhe nuk i duket fare nji bar i randë, se dëshira ashtu e tepërtë për frymzimin e jetës moderne. Prandaj me shpresë se këto lutjet t’oba do të merren parasysh ju lutemi Shk. Juaj qi të pranoni nderimet t’ona ma të nalta.
Durrës më 30.V.1925.”
Lutja e tregtarëve të Durrësit vinte pak mbasi kishin inauguruar dhe nisjen e themelit të ndërtimit të pallatit Presidencial të Ahmet Zogut në kodër-vilë. Gjithsesi historia e tregoi se Presidenti Ahmet Zogu nuk e ndihmoi parinë e Durrësit për rindërtimin e Konakut, por vendosi shembjen e saj në fund të viteve ’20 duke zbatuar egërsisht dhe planin urbanistik të qytetit i imponuar dhe nga italianët të cilët e shikonin Shqipërinë si një zonë të influencës së tyre. Në kohët e sotme, gjurmët e Konakut dolën në pah në momentin e zbatimit të projektit të Velierës së famshme.






