Me himnin kombëtar, Bashkia e Durrësit hapi ceremoninë solemne të mbajtur në sallën e Këshillit Bashkiak me rastin e 14 Nëntorit, ditës së çlirimit të qytetit nga pushtuesit nazifashistë në vitin 1944.
Në ceremoni ishin të pranishëm kryebashkiakja Emiriana Sako, prefekti i qarkut, Emiljan Jani, kryetarja e këshillit bashkiak, Denisa Luarasi, deputetë të qarkut të Durrësit, si dhe përfaqësues të organizatës së veteranëve të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri.
Në fjalën e rastit mbajtur nga drejtoresha e Arsim Kulturës në bashki Migena Muhaj dhe nënkryetari i shoqatës së veteranëve Kristaq Prifti u theksua kontributi i dhënë nga qytetarët durrsakë në luftën për çlirimin e vendit.
“Është një ditë e veçantë për Durrësin dhe për gjithë Shqipërinë, një ditë që na kujton sakrificën dhe guximin e dhjetëra patriotëve, luftëtarëve të lirisë, të rinj e të reja, që dhanë gjithçka për atdheun.
Ishte pikërisht në këtë qytet ku nisi të shkruhej me gjak historia e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Që prej 7 prillit 1939, Durrësi u bë simbol i qëndresës dhe një ndër qendrat kryesore të lëvizjes çlirimtare. Edhe nën pushtimin më të ashpër, qyteti ynë nuk u përkul, përkundrazi, vijoi luftën dhe shtoi radhët e luftëtarëve të lirisë.
Pas 81 vjetësh, ne jemi krenarë të përkujtojmë këtë ditë historike dhe të shprehim respektin e thellë për qytetarët e Durrësit që u përfshinë në një luftë të drejtë, duke sakrifikuar gjithçka për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.”,– tha ndër të tjera drejtoresha Muhaj.
14 nëntori i 81 viteve më parë nuk është vetëm një kujtesë historike, por edhe një ditë simbolike për brezat e ri, që duhet të ruajnë dhe të trashëgojnë vlerat e patriotizmit, të solidaritetit dhe të bashkimit, që na karakterizojnë si komb.
M.B.





