Në Ditën Botërore të Diabetit, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Durrës, në bashkëpunim me Spitalin Rajonal dhe Drejtorinë rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor zhvilluan në sheshin “Liria” një aktivitet sensibilizues dhe ndërgjegjësues për këtë sëmundje.
Qytetarët durrsakë patën mundësi të kryenin depistime falas dhe njëkohësisht të informoheshin nga stafi mjekësor për kujdesin e shtuar, që duhet të tregojnë përsa i përket të ushqyerit shëndetshëm, aktivitetit fizik dhe kontrolleve periodike.
Shumë qytetarë, të të gjitha grupmoshave iu nënshtruan depistimeve falas dhe morën të gjithë informacionin e nevojshëm nga stafi i NJVKSH-së mbi këtë sëmundje, që mund të prekë njerëzit në të gjitha fazat e jetës.
Në njoftimin në rrjete sociale, NJVKSH Durrës shkruan se “Ky aktivitet synon forcimin e rolit të shërbimit parësor në edukimin shëndetësor dhe promovimin e stileve të shëndetshme të jetesës në komunitet”.
Në një intervistë për “DurrësLajm”, mjeku endokrinolog, Eduard Spahiu bëri te ditur se në qarkun e Durrësit janë rreth 10 mijë pacientë që vuajnë nga diabeti dhe janë të regjistruar pranë skemës së sigurimeve shëndetësore.
“Motoja e kësaj dite, për këtë vit është mirëqënia e pacientëve me diabet, që nënkupton përfshirjen e tyre më shumë në punë, mbështetjen e tyre nga ana sociale dhe psikologjike dhe riintegrimin e tyre më shumë në jetën normale”– thotë mjeku Spahiu.
Si faktor rreziku për këtë sëmundje, mjeku endokrinolog rendit mbipeshën, jetën sedentare dhe kequshqyerjen.
Në postimin në rrjete sociale, dedikuar Ditës Botërore të Diabetit, kryeministri Edi Rama dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftuan se “me buxhetin 2026 për shëndetësinë mbështetet depistimi falas në programin e kontrollit bazë, si dhe ofrimi i fishave për matjen e glukozës për grupet në nevojë, ndërsa po punohet për përmirësimin e listës së barnave të rimbursueshme”.
Ndiqeni intervistën e plotë me mjekun endokrinolog Eduard Spahiu në videon e mëposhtme:
M.B.





