Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të diel në Orikum, në qytetin e Vlorës. Sipas informacioneve paraprake, një burrë ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, duke i shkaktuar vdekjen, dhe më pas ka kryer vetëvrasje.

Policia e Orikumit ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë brenda në familje. Viktimat janë gruaja 40 vjeçe S.Xh. dhe bashkëshorti i saj, 50-vjeçar Ll.Xh.

Orikum/Informacioni paraprak i policisë:

Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç.

Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.

Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.