Gjykata e Korçës la në masën ‘arrest në burg’ 67-vjeçarin R. Selko, i cili akuzohet se përdhunoi dhe la shtatzënë një 12-vjeçare. 

Selko abuzoi seksualisht me fqinjën e tij të mitur në muajin gusht. Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e 67-vjeçarit në fshatin Piskupat në bashkinë e Pogradecit.

Gjatë kësaj periudhe ai kërcënonte të miturën që të mos tregonte për atë çfarë kishte ndodhur, ndërkohë që rasti u zbulua nga prindërit e të miturës, të cilët vunë re ndryshimet fizike të saj.  Ekzaminimi mjekësor zbuloi se vajza ishte 22-javëshe shtatzënë dhe më pas ajo rrëfeu të gjithë ngjarjen e rëndë.

Organi i akuzës ka kërkuar masën e sigurisë arrest në burg për 67-vjeçarin, çka është pranuar edhe nga gjykata. Seanca e zhvilluar me dyer të mbyllura ka zgjatur më tepër se dy orë.