Dy javë pas përmbytjes masive të zonës së ish-Kënetës, situata është ende e vështirë në shumë familje, ku uji nxorri jashtë përdorimit shumë nga orenditë dhe pajisjet elektroshtëpiake.

Edhe pse ka mbi një javë që uji është tërhequr, brenda shtëpive të përmbytura, pasojat duken mjaft qartë.

Banorët e kësaj zone, që njihet me emrin Durrësi i ri, janë me sytë tashmë nga dëmshpërblimet e premtuara nga shteti.

Shumë qytetarë kanë pretendime përsa i përket punës së bërë në terren nga grupet e verifikimit.

“Vetëm emrin më morën aty jashtë tek porta. U thashë urdhëroni brenda, që të shikoni. Ata thanë vetëm emrat do marrim, se do ju shohin qeveritarët”.

I hodha divanët, dhomën e gjumit të nuses, dollapët. Grupi erdhi i pa, edhe fotot i mori”.

“Shkuam tek bashkia, tek komuna. Asnjë nuk ka ardhur me na pa. Makina, dyqani i çunit, shtëpia… Kam 30 vjet këtu, tu i pagu taksat shtetit.”

“Kanë qenë ditë shumë të vështira, mezi i kemi përballuar largimin e ujit, ditën e dytë apo të tretë u largua.”

“Gjithë pajisjet, gjithë orenditë i hodhëm poshtë, blemë të tjera. Grupi i verifikimit erdhi, por kur e pa që unë e kisha fshirë dhe kisha hedhurr ato që nuk bënin më thanë çdo gjë është në rregull. Si mo u thashë është çdo gjë në rregull?”

Pas kontakteve që “DurrësLajm” pati me bashkinë dhe Shtabin e Emergjencave mësoi se procesi i konstatimit të dëmeve nuk është mbyllur ende dhe për pasojë nuk kanë një shifër ekzakte të banesave, edhe pse uji ka mbi një javë që është tërhequr!

Pritet që ditën e enjte apo të premte të kësaj jave, ky proces të përfundojë dhe bashkia Durrës të dalë me një shifër zyrtare.

Ndërkohë, në bashkitë Shijak dhe Krujë procesi ka përfunduar. Përkatësisht ka 44 dhe 70 banesa të përmbytura dhe dëmshpërblimet për banorët e prekur kanë kaluar për miratim në mbledhjet e Këshillave Bashkiakë.

M.B.