Rruga alternative që të çon në kampusin e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës është tani plotësisht e aksesueshme për studentët dhe stafin.

Ky aks do të përdoret vetëm për hyrjen në kampus, ndërsa dalja do të bëhet përmes pjesës kryesore të autostradës. Rruga e re synon të përmirësojë qarkullimin e mjeteve dhe sigurisë brenda kampusit.
Nga ana tjetër, segmenti rrugor nga do të bëhet dalja e automjeteve ka një infrastrukturë rrugore mjaft problematike, përsa i përket dëmtimit të shtresave asfaltike.

Më herët, “DurrësLajm” ka pasqyruar gjendjen infrastrukturore të këtij aksi, që ka nevojë për ndërhyrje konkrete nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar, që është përgjegjës për mirëmbajtjen e tij.
Ndërkohë, në Kampusin e Spitallës pritet të realizohet së shpejti një tjetër investim i rëndësishëm lidhur me strehimin e studentëve.
Në takimin e disa ditëve më parë, me 40 rektorët e universiteteve publike e private, kryeministri Rama dha të rejat më të fundit mbi këtë investim.
Në historinë e tij 20-vjeçare, universiteti i Durrësit ka vuajtur mungesën e konviktit. Pavarësisht se sot regjistron më shumë se 17 mijë studentë, këta të fundit detyrohet të strehohen në banesa me qira.
“Kemi hapur procesin për Kampusin e Universitetit “Aleksandër Moisiu”. Kemi pasur një interes jo të vogël nga 40 studio ndërkombëtare. Ka një potencial shumë të madh për të krijuar edhe infrastrukturë qëndrimi, rezidence të studentëve. Duke pasur parasysh trenin, që do të jetë në funksion së shpejti do të jetë absolutisht shumë e thjeshtë që studentët e Tiranës të kenë mundësi të strehohen në Kampusin e Durrësit. Prandaj do të ndërtojmë një kompleks studentor rezidencial shumë të mirë, që të ndihmojmë edhe në zgjidhjen e problemit të madh që kanë studentët, për shkak të çmimeve të larta të qirave në Tiranë.”- tha Rama.
Këtë vit, UAMD festoi 20-vjetorin e krijimit. Ky institucion dijesh është kthyer në një aktor të rëndësishëm në hartën e arsimit të lartë në Shqipëri.
M.B.





