Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale Tatimore Durrës, organizoi paraditen e kësaj të enjteje një takim informues mbi ndryshimet e Paketës Fiskale 2026.

Për kreun e kësaj Dhome, Neritan Golja bashkëpunimi i bizneseve si dhe shoqatës së kontabilistëve me administratën tatimore është çelësi i suksesit për një marrëdhënie produktive mes palëve.

“Qëllimi I këtij takimi është t’ju njohim nga afër me ndryshimet e Paketës Fiskale 2026, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e bizneseve. Informimi i saktë dhe në kohë është thelbësor për marrjen e vendimeve të duhura dhe përshtatjen me kuadrin e ri ligjor e tatimor.”– tha kreu i DHTI-së.

Në takimin informues, Administrata Tatimore Durrës përfaqësohej nga Kliton Tati, Drejtori i Shërbimeve të TatimPaguesve dhe Fatjon Sulko.

Në sqarimet e tij të hollësishme për kontabilistët dhe përfaqësuesit e bizneseve, drejtori Tati e vuri theksin në disa nga ndryshimet e bëra në ligjin fiskal, të cilat hyjnë në fuqi nga data 31 janar.

“Një nga detyrat që keni ju si kontabilistë dhe si biznese është të rifreskoni të dhënat e postës elektronike, pasi posta elektronike është informacion zyrtar. Në momentin që është e gabuar, përveç sanksioneve që ka për biznesin ka dhe problematikën se nuk do t’ju shkojë informacioni i duhur.

Me ndryshimin që është bërë në nenin 40 të ligjit “Procedura tatimore” përcaktohet që të gjithë tatimpaguesit që punojnë online kanë detyrimin ligjor që të paraqesin në faqen e tyre online NIPT-in, emrin e biznesit dhe adresën e saktë.”– tha ndër të tjera Tati.

Brenda këtij viti administrata tatimore dhe ajo doganore duhet të fshijnë nga bilancet e tyre, çdo borxh që kanë bizneset, të cilat janë krijuar përpara 31 dhjetorit të vitit 2014. Nga Paqja Fiskale e qeverisë Rama përfitojnë më shumë se 200 mijë biznese debitorë. Në sqarimet e tij, drejtori Tati deklaroi se marrëveshja mes biznesit dhe Tatimeve nuk është e detyrueshme, por ai nënvizoi përfitimet e subjekteve nga kjo nismë.

Gjatë takimit, pjesëmarrësit adresuan shumë nga pikëpyetjet e tyre mbi ndryshimet ligjore në Paketën Fiskale. Për shqetësimet e kontabilistëve dhe bizneseve lidhur me ndryshime ligjore, që nuk janë në tagrin e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve u rekomandua nga kryetari i Dhomës Neritan Golja dhe drejtori Kliton Tati, që ato t’u përcillen institucioneve respektive me shkresa zyrtare.

M.B.