Ish-prefekti i Qarkut Durrës, Emiljan Jani, ka reaguar përmes një postimi pas përfundimit të mandatit të tij, duke e cilësuar drejtimin e këtij institucioni si një nder të veçantë dhe përgjegjësi të madhe.
Jani shpreh mirënjohje për besimin e dhënë nga Kryeministri Edi Rama, si dhe falënderon Ministrat e Brendshëm, kryetarët e bashkive në qark, drejtuesit e Policisë, institucionet vendore dhe administratën e Prefekturës për bashkëpunimin ndër vite.
Në reagimin e tij, ai thekson se gjatë dy periudhave në detyrë ka pasur në fokus zbatimin e ligjit, forcimin e shtetit të së drejtës dhe shërbimin me ndershmëri ndaj qytetarëve, duke nënvizuar rolin e Durrësit si një qark me rëndësi të veçantë dhe karakter kozmopolitan.
Jani uron suksese prefektin e ri, Adrian Gurra, duke shprehur bindjen se institucioni do të vijojë të jetë simbol i bashkëpunimit, transparencës dhe shërbimit publik.
Postimi i plotë:
Përshëndetje!
Të qenit Prefekt i Qarkut Durrës ka qenë për mua një nder i veçantë dhe një përgjegjësi e madhe. Kjo për faktin se Institucioni i Prefektit është ndër institucionet më të vjetra të vendit dhe Qarku i Durrësit ndër më të rëndësishmit në Shqipëri. Durrësi, qyteti ynë bregdetar me histori mijëvjeçare, është jo vetëm porta detare e Shqipërisë, por edhe një qendër dinamike e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe social, ku bashkëjetojnë tradita, energjia e rinisë dhe largpamësia për të ardhmen.
Gjatë dy periudhave të ushtrimit të këtij funksioni, 5 maj – 1 nëntor 2017 dhe 7 prill 2022 – 21 janar 2026, si përfaqësues i Qeverisë në territor, shpreh mirënjohjen time të veçantë për Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, për besimin e dhënë, si dhe për të gjithë Ministrat e Brendshëm, Kryetarët e Bashkive në Qarkun Durrës, Drejtorët e Policisë Vendore Durrës, Drejtorët e Degëve Territoriale në Qarkun Durrës dhe administratën e Institucionit të Prefektit të Qarkut Durrës me të cilët kam bashkëpunuar ngushtësisht dhe kam ndarë çdo moment të këtij angazhimi, duke kontribuar së bashku që ky institucion të ruajë prestigjin dhe të gëzojë konsideratën e lartë të qytetarëve.
Si Prefekt i Qarkut Durrës, kam ndier një detyrim të thellë për të garantuar zbatimin e ligjit, forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve publike. Prefektura e Qarkut Durrës ka një rol thelbësor në koordinimin e politikave dhe veprimtarive të institucioneve shtetërore, në mbikëqyrjen e ligjshmërisë së akteve të pushtetit vendor dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet administratës publike dhe komunitetit lokal.
Në qendër të punës sime si Prefekt ka qenë gjithmonë interesi publik, ndershmëria në shërbim dhe përgjegjësia ndaj qytetarit. Roli im ka synuar që çdo institucion publik në qark të ofrojë shërbime cilësore, efikase dhe dinjitoze, në mënyrë që çdo qytetar të ndihet i respektuar dhe i dëgjuar.
Dëshira ime, si dhe e gjithë administratës së Institucionit të Prefektit të Qarkut Durrës, ka qenë dhe jam i bindur se do të vijojë edhe me ardhjen në këtë pozicion të Prefektit të ri, z. Adrian Gurra, që ky institucion përfaqësues i pushtetit qendror në qark të jetë simbol i bashkëpunimit, transparencës dhe frymës pozitive të shërbimit publik.
Kam besuar gjithmonë se Durrësi mund dhe duhet të jetë model i mirëqeverisjes vendore, i zhvillimit të qëndrueshëm dhe i bashkëjetesës harmonike ndërmjet komuniteteve. Prej vitesh, në territorin e tij jetojnë qytetarë të kombësive të ndryshme, duke i dhënë Qarkut të Durrësit, e veçanërisht qytetit të Durrësit, imazhin dhe qasjen e një qyteti kozmopolitan evropian.
Ndaj, dëshiroj të shpreh edhe njëherë mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë administratën e këtij institucioni, e cila kontribuon çdo ditë me punën e saj në zhvillimin e qarkut, si dhe për përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe degëve territoriale për bashkëpunimin institucional dhe qytetar gjatë dy periudhave të mia si Prefekt i Qarkut Durrës. Çdo përpjekje e tyre ka qenë dhe do të mbetet një gur i çmuar në ndërtimin e së ardhmes sonë të përbashkët dhe në rritjen e mirëqenies së Qarkut Durrës.
Ju falënderoj për besimin dhe bashkëpunimin tuaj ndër vite.





