Është në klasë të nëntë, por dashuria për pikturën e ka shtyrë t’i dedikohet artit dhe të hapë ekspozitën e tij të parë.

“Kur arti flet” është titulli i saj dhe vërtet artisti autodidakt Rei Mulla ka ditur të flasë përmes 50 punimeve të tij. Si­ç thotë dhe vetë Rei, nga duart e tij lindin forma që flasin, ngjyra që frymojnë dhe art që na bashkon, pasi punimet janë të teknikave të ndryshme dhe shpalosin shpirtin e një adoleshenti, që rrugëtimin e tij artistik e ka nisur që në moshë të mitur.

Jo vetëm përmes pukturave, por edhe përmes punimeve me teknikat e origamit, spiralit, quilling apo string artit Rei sjell për artdashësit botën e tij të brendshme, preferencat dhe hobitë e tij, të cilat i shndërron në art.

Me një talent të padiskutueshëm, që e shpalos në punimet e tij, Rei tërhoqi vëmendjen e artdashësve dhe mori komplimentet e tyre për këtë ekspozitë të parë.

Mbase Rei Mulla nuk do të pikturojë gjithë jetën, por shpirti artistik do të jetë pjesë e tij e pandarë e këtij adoleshenti durrsak, që artin e sheh si mundësinë më të mirë për ta bërë botën të duket më e bukur dhe më me ngjyra.

M.B.