Investimi që po realizohet prej disa muajsh tashmë në rrugën “Adria” ose më saktë në një nga segmentet hyrëse të Durrësit, nga Ura e Dajlanit deri tek Stacioni i Trenit ka krijuar problematika të theksuara për drejtuesit e automjeteve.

Trafiku i rënduar, radhët e gjata dhe minuta të tëra pritjeje para se të hysh në qytet janë një fakt i njohur tashmë për të gjithë qytetarët e Durrësit, por edhe vizitorët.

Por ato që i çudisin më shumë drejtuesit e mjeteve janë ato që në gjuhën teknike quhen urban woonerf, që kanë “mbirë” në dy rrethrrotullimet tek Ura e Dajlanit dhe në hyrje të autostradës.

Foto e marrë nga projekti

Të aplikuara në vendet perëndimore në zona urbane si lagje apo hapësira publike, këtu tek ne po aplikohen në dy arteriet kryesore të qytetit, në dy segmente interurbane, që në çdo orë të ditës kanë trafik të rënduar.  

“Asgjëkundi nuk kemi parë në botë! Të ngushtosh rrugën këtu është precedent për aksident. Të ishte e hapur ashtu siç ishte ishte shumë bukur. Sajojnë gjëra me marrë lekët. Këtu është bërë si hinkë”.

“Këto duken ta pa arsyeshme. Ato që i kanë menaxhuar, e kanë bërë shumë keq projektimin. Këto ngadalësojnë qarkullimin e mjeteve dhe krijojnë trafik të paparë”.

“Këto janë kot fare. Rruga duhet drejt. Të flasim shqip fare. Këtu vetëm për të vjedh dinë”,– ishin disa nga opinionet e qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve për mikrofonin e “DurrësLajm”.

Pas hinkave të zbatuara thuajse në të gjitha rrethrrotullimet në qendër të Durrësit, projektuesit e rrugëve kanë ideuar tashmë një tjetër anomali për qarkullimin e makinave.

Në një qytet, ku gati gjysma e popullisë ka në pronësi një automjet projektimi i infrastrukturës rrugore nuk shërben për të normalizuar trafikun, por për ta rënduar edhe më shumë atë.

Në investimin që po realizohet tek rruga “Adria” donator është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa investitor Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

M.B.