Nga sot, godina e stacionit të trenit në Durrës nuk është më.
Mjetet e rënda e kanë rrafshuar sot përfundimisht godinën ikonike të Stacionit të Trenit, me të cilën breza të tërë durrsakësh kanë kujtime.
Për dekada me radhë, godina ka pritur e përcjellë çdo ditë me qindra qytetarë që përdornin trenat për të udhëtuar drejt Tiranës apo qyteteve të tjera të vendit.
Breza të tërë studentësh përdornin trenin çdo ditë për të udhëtuar me abone drejt kryeqytetit për të ndjekur studimet e larta në fakultete të ndryshme.
Hekurudha shqiptare lulëzoi deri në fund të viteve’90, ndërsa më pas nisi degradimi i saj i vazhdueshëm.
Prej vitesh në Durrës po punohet për linjën e re hekurudhore, që do të lidhë qytetin bregdetar me Tiranën dhe Rinasin, por pavarësisht afateve të deklaruara disa herë, punimet ende nuk kanë përfunduar.





