Asfaltimi i saj ka përfunduar 3 vite më parë, në dhjetor 2022, por sot, rruga “Xhemal Tirana” në lagjen nr.15 në Spitallë shfaq probleme të theksuara infrastrukturore.

Gropat e mëdha të krijuara përgjatë gjithë gjatësisë së saj janë kthyer në shqetësimin kryesor për komunitetin, por edhe drejtuesit e mjeteve, që e përshkojnë çdo ditë atë.

Banorët e zonës kërkojnë një rrugë me standarte, me ndriçim dhe sinjalistikë, pasi u tremben aksidenteve rrugore që mund të marrin jetë njerëzish.

“Po s’u bënë kanalizimet, po s’u bënë pusetat, po s’u hoq uji nga rruga edhe hekur të vendosësh këtu, nuk mban. Duhet të bëhen veprat e artit, pastaj të bëhet asfaltimi. Të bëhen me cilësi, jo pa cilësi”.

“Rruga është siç e shkoni dhe vetë, gropa-gropa.”

“Ata kanë punuar shumë mirë, por nuk ka mbajtur. Ky kanal këtu do rregullu, sepse prishet rruga se rrëshket dheu”.

“Duhet të ketë edhe vija të bardha, kërkojmë edhe polici. Kur çojmë kalamajtë në shkollë, i çojmë me frikë, derisa ne I paguajmë taksat shtetit, edhe shteti duhet të na përgjigjet”.– thonë për “DurrësLajm” banorët e zonës.

Kanali i hapur buzë rrugës duket se është një nga shkaqet kryesore të dëmtimit të asfaltit, pasi krejt e kundërta ndodh në dy akset e tjera lidhëse “Shoqata Çamëria” dhe “Shkodra”, të cilat kanë infrastrukturë brenda të gjitha standarteve.

Siç duket edhe në video, gjatë punës së bërë për sistemimin e kanalit ka pasur shumë mangësi, pasi tubat që janë vendosur as nuk janë lidhur njëri me tjetrin!

Para të taksapaguesve të shpenzuara më kot dhe rrugë që dëmtohen vetëm pak kohë, pas asfaltimit të tyre.

M.B.