“Shtegu i dritave magjike” është libri më i fundit që prej një muaji është në duart e prindërve dhe fëmijëve. Me një fabul të thjeshtë, autori Aldo Mustafa, synon të zgjojë dhe mbajë ndezur tek vogëlushët kujtimet më të bukura të fëmijërisë. I hedhur në letër në një kohë rekord, ideja bluhej në mendjen e gazetarit Mustafa prej vitesh, por u konkretizua pas një dite të ngarkuar me ngjarje të rënda të kronikës së zezë.

“Ishte pikërisht në prag të një ngjarjeje tragjike të ndodhur në qytet, ku humbi jetën një 15-vjeçar dhe mendova që nuk po bëhej puna e duhur me pjesën e edukimit dhe nuk doja të veproja thjesht si gazetar.

Doja të veproja përtej gazetarisë, duke krijuar letërsi. Ishte një ditë e ngarkuar, por që solli një rezultat të pëlqyeshëm në fund të ditës, duke krijuar një libër, qëllimi i të cilit është të edukojë brezat, të edukojë prindërit dhe ndoshta të afrojë më shumë fëmijët me prindërit dhe prindërit me fëmijët”,- thotë për “DurrësLajm” autori Mustafa.

Aventurat e 3 personazheve kryesorë, Andit, Sendit dhe maces Lea e çojnë lexuesin në një botë magjike, ku dominon kurioziteti fëminor.

Ndërsa  zhvillimi i teknologjisë ecën pa u ndalur dhe rrëmben vëmendjen e të vegjëlve dhe të rriturve, gazetari Mustafa kërkon që të ndihmojë sadopak për të kthyer fokusin e të gjithëve tek libri.

“Është një libër i thjeshtë në të lexuar dhe kjo ka qenë kryefjala edhe nga ana e mësuesve, logopedëve, psikologëve, nga ana e pedagogëve nga të cilët kam kërkuar një mendim sesi u duket dhe sesi vjen tek të gjithë”,– thotë ndër të tjera autori i librit.

Në tendën e krijuar me çarçafë në ambientet e shtëpisë merr udhë imagjinata e 3 personazheve në shtigjet qiellore, ku kujtimet përpiqen të mbijetojnë sa më gjatë në memorien e të vegjëlve. Por kjo arratisje magjike nuk është e vetmja, pasi aventura e radhës është në proces.

“Libri do të ketë disa seri. Nga aventura e radhës, duke qenë se mendojmë se mund të arrijmë ta botojmë përpara pushimeve verore të shkollës është konceptuar si një aventurë fëmijësh në det”,– tregon Mustafa, që përpiqet të jetë mjaft hermetik për të mos zbuluar më shumë nga libri i dytë i aventurave të Andit, Sendit dhe maces Lea.

M.B.