Që nga data 1 shkurt, godina me 7 nivele dhe 396 vende parkimi, e ndërtuar pranë stacionit të trenit në Durrës është kthyer në parkim me pagesë.
E vënë në funksion në fillim të muajit janar, parkimi publik me kate ishte falas në maujin e parë të këtij viti, por që nga e diela e javës që sapo u mbyll në të kanë nisur të aplikohen tarifat përkatëse, në varësi të orëve të qëndrimit.
Ajo që bie në sy nga tarifat e publikuara është fakti se përveç qëndrimit disa orësh të mjeteve në parkim, drejtuesit e tyre mund të zgjedhin edhe abonimet mujore, të cilat sërish kanë çmime të diferencuara.
“DurrësLajm” po publikon më poshtë tarifat në varësi të orëve të qëndrimit si dhe tarifat mujore.
Orët e qëndrimit Çmimi
0-1 orë 100 lekë
1-3 orë 200
3-5 orë 300
5 – 8 orë 400
8 – 12 orë 600
12 – 24 orë 800
Mbi 24 orë 800+
Abonimet
Abonimi mujor 8000 lekë
Abonimi mujor (07.00 – 18.00) 5000
Abonimi mujor (18.00 – 09.00) 4000
Abonimi mujor i dedikuar – 15000
Në njoftim thuhet se tarifat e parkimit mund të ndryshojnë sipas politikave të parkimit.
Në njoftimin e afishuar në Qendrën Multimodale Durrës (në dalje të parkimit) është publikuar edhe një adresë e-mail-i dhe një numër telefoni, që personat e interesuar mund t’i kontaktojnë për më shumë informacion.
Sipas bashkisë Durrës, parkimi do të menaxhohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që realizoi investimin.
Që në ditët e para të funksionimit të tij, pranë Parkimit u regjistrua një aksident tragjik që i kushtoi jetën rojes së tij, ndërkohë që hyrje – dalja e parkimit në kënd pingul me rrugën parashikohet të shoqërohet me trafik të rënduar në rrugën “Mars 91” dhe mund të bëhet shkak për aksidente rrugore.






